Lubonja kundër Qosjes: kulturë e vjetër mbi teoritë e konspiracionit

I përmbajtur, por jo pa keqardhje është qendrimi i Fatos Lubonjës ndaj Rexhep Qosjes, i cili para pak ditësh tha se Lubonja merr për bazë publicistët, studiuesit që janë miq të Serbisë, kur flet për historinë dhe politikën. Lubonja në një intervistë për Gazetën Express ka argumentuar të kundërtën, duke thënë se autorët në të cilët mbështetet pikësëpari janë miq të krejt botës. "Më vjen keq të them, por Qosja ushqen kulturën e vjetër të bazuar mbi teoritë e konspiracionit", i thotë Lubonja gazetarit Shpend Limoni.
“...besoj se jetojmë në një kohë kur një studiues serioz mund të jetë mik i serbëve, por edhe i shqiptarëve njëherësh, e madje unë jam ndër ata që mendojnë se edhe shqiptarët e serbët duhet të normalizojnë marrëdhëniet e tyre duke filluar që nga pastrimi i leximit të historisë së tyre të përbashkët nga fryma nacionaliste. Nuk besoj se sot ka studiues seriozë perëndimorë që i dedikuakan vite të jetës së tyre shkencës së historisë që e bëkan këtë për t’i shërbyer një shteti kundër një tjetri. Më vjen keq të them, por Qosja ushqen kulturën e vjetër të bazuar mbi teoritë e konspiracionit. Dhe ajo që është e hidhur në këtë pohim të Qosjes është fakti se studiues e historianë të tillë, që i kanë kushtuar vite të tëra jete historisë së Shqipërisë si Oliver Schmitt apo Nathalie Clayer, për të shkruar libra aq të vyer siç janë “Në fillimet e nacionalizmit Shqiptar”, “Arbëria Venedikase” apo “Skënderbeu” në vend se sot të jenë të nderuar e librat e tyre të bëhen pjesë e studimeve në universitetet tona janë bërë pre e sulmeve të bazuara në teori konspiracioni me rezultat mbajtjen e shqiptarëve, veçanërisht të rinjtë, pikërisht nën atë që vetë Qosja e quan “pushtim shpirtëror” e “manipulim”.”
Sa për konsideratat e Qosjes se regjimi Hoxhës "i ka dhënë popullit shqiptar një dinjitet ndërkombëtarisht të njohur dhe kjo nuk është diçka e parëndësishme", Lubonja përgjigjet se
“...eksodi masiv i shqiptarëve në vitet 90 – 91 tregoi se ku ishin katandisur realisht shqiptarët në atë regjim. Të përdorësh fjalën “populli” për këtë grumbull individëve pa shoqëri dhe t’i japësh këtij konotacion pozitiv më duket metodë e vjetër. Vetë preferoj të përdor fjalën “shoqëria” dhe sipas meje Qosja gabohet kur thotë se shoqëria shqiptare e asaj kohe paska pasur dinjitet tek të huajt...”
k.c.
E plotë:
Add new comment