Lotaria Kombëtare dhe “ngjyrosja e karburanteve” anullohen të parat, thotë Ilir Beqja

Postuar në 20 Korrik, 2013 07:24

Jo rrallëherë në opozitë, Partia Socialiste ka deklaruar se filan konçesion apo fistëk liçensë do të anullohej sapo e majta të vinte në pushtet. Herë të tjera ka deklaruar se do të kishte një proces “kontrolli e rishikimi”, duke lënë të kuptohej edhe një nuancë tërheqjeje nga vendosmëria e mëparshme. Por të paktën dy konçesione, sipas një pohimi të koordinatorit socialist për programin e përbashkët qeverisës PS-LSI, Ilir Beqjes, e kanë marrë qysh tani vulën e anullimit. Për gazetën Shqip, Beqja ka deklaruar se lotaria kombëtare dhe konçesioni më i freskët, ai i “ngjyrosjes së naftës”, do të anullohen në rastin më të parë, pasi janë gjykuar prej kohësh nga socialistët se janë në kundërshtim me ligjet dhe strategjitë e zhvillimit sektorial të vendit. “Ngjyrosja” shoqërohet me një taksë kombëtare e cila rrit ndjeshëm çmimin e karburanteve në vend. Ky vendim qeverie ende nuk ka marrë miratimin e Parlamentit. Ndërsa për lotarinë kombëtare (dhënë një firme austriake dhe denoncuar si konçesion klientelist i Berishës), PS është shprehur që herët, teksa Edi Rama i pat shkruar edhe një letër kancelarit austriak. Ama, sipas koordinatorit Beqja, “procesi nuk do të mbyllet me kaq, pasi në shqyrtim do të kalojnë të gjitha koncesionet e dhëna nga qeveria Berisha”.

 

A.K

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.