Loja me kandidatët/Avokati i Shpëtim Gjikës: “Gjika nuk do kandidojë si kandidat i PS-së, as si i pavarur”. “Saimir Tahiri kandidat në Vlorë”, shkruan Berisha

Postuar në 09 Shkurt, 2015 17:47

Çështja e Shpëtim Gjikës po përfton dy përmasa në trajtimin e vet publik: një është aspekti juridik, i një marrëdhënieje të tijën me ligjin dhe akuzën dhe gjykatën. Aspekti i dytë, ai që për natyrë priret të zërë më shumë vend, është ai politik. Pra që Gjika u “likujdua” politikisht për të lënë të lirë poltronin e Bashkisë së Vlorës. Pse duhej arrestimi? Një arsye është se ndonëse Gjika mund të “fshihet me një laps nga Rama”, siç u shpreh në “Opinion” përfaqësuesi i LSI-së Ylli Manjani, ai nuk mund të neutralizohet në këtë mënyrë, pasi disponon një numër votash në zonën e tij. Në të njëjtin debat, pra në “Opinion”, Preç Zogaj, hodhi mendimin se edhe dispozitivi i votave që ka edhe një politikan si Arben Malaj, nëse angazhohet kundër kandidatit zyrtar të PS-së, mund të sjellë probleme. Ky lloj arsyetimi ka defektin se mundet vetëm të jetë një hipotezë që kërkon konfirmim në vijimësi, për të mos thënë që mundet edhe të shërbejë si diversion. P.sh sot, ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka shkruajtur sërish për këtë çështje, duke tentuar të dërgojë mesazhe(në emër të namit se përherë di diçka të saktë) se kjo e Gjikës është një proces që do përfshijë Baftjar Zeqon etj.. Berisha shkruan në fakt edhe diçka që ka disa javë që zien si thashethem në qarqet e degëve partiake në Vlorë. Dhe ky thashethem është se kandidat i mundshëm i koalicionit qeverisës në Këtë qytet, më 21 qershor, do të jetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. “Tahiri ka vendosur të kandidojë për Vlorën dhe është i bindur se Gjikën në burg ka më shumë shanse për të marrë me Policinë e Partisë, Bashkinë”, shkruan Berisha(https://www.facebook.com/SaliBerisha/photos/a.12246110124813...). Ky deklarim, gjen mbështetje në dy momente: së pari se përfaqësues të PS-së dhe qeverisë, si Blendi Klosi p.sh kanë deklaruar se me ndarjen e re territoriale, kandidatët duhet të jenë figura politike, pasi do të përfaqësojnë diçka më shumë sesa një zonë të mbyllur influence. Momenti i dytë është fakti se edhe avokati i Shpëtim Gjikës, Ardian Leka, ka deklaruar sot në “Opinion” se për çështjen e klientit të tij “ka motive politike”. Ai ka shkuar më tej kur ka deklaruar se: “Në dijeninë time Shpëtim Gjika nuk do kandidojë në zgjedhjet lokale si kandidat i PS-së. As do të kandidojë si i pavarur”. Mesazhe këto që kanë adresë politike. “Problemi” me kandidimim e Saimir Tahiri është ligjor pasi ai figuron si qytetar i Tiranës dhe nëse do të kandidonte, do të duhej të bënte zhvendosjen e gjendjes civile; neni 109 i Kushtetutës kërkon si kusht qenien pjesë e territorit të zonës ku kandidon. Në çdo rast të gjitha këto do të provohen ose hidhen poshtë në javët në vijim, por do theksuar se perceptimi kryesor mbetet se Shpëtim Gjika ishte një problem politik më shumë për të majtën sesa për PD-në.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.