Ligji i ri për KLD-në, Komisioni i Ligjeve miraton draftin me votat e shumicës

Postuar në 16 Korrik, 2014 06:49

Mazhoranca qeverisëse ka miratuar sot e vetme në Komisionin e Ligjeve projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”. “Reformën në drejtësi e kemi një premtim, që ne duhet ta mbajmë. Shumë shpejt në parlament do të kemi një komision parlamentar për të garantuar gjithpërfshirjen. Do të kemi ndërhyrje thelbësore në sistemin e drejtësisë, jo se këtë e do politika apo ndërkombëtarët, por se e duan qytetarët shqiptarë”, u shpreh kreu i komisionit Fatmir Xhafaj. Nga opozita ka qenë deputeti Nard Ndoka që kërkoi debat të gjerë për çështjen. Ndërkohë deputeti socialist Pandeli Majko ka sqaruar  aspekte të ndërhyrjes ligjore. “Ne sanksionojmë me ligj që anëtarët e KLD-së të mos promovojnë vetveten. Një problem tjetër është inspektoriati i KLD-së. Kemi caktuar një varg normash, që rregullojnë marrëdhënien e Inspektoriatit me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Gjithashtu në ligj përcaktojmë se anëtarët e zgjedhur nga parlamenti dhe nga Konferenca Gjyqësore, shkarkohen kur shkelin ligjin dhe Kushtetutën”, është shprehur ai. Çështja pritet të provokojë debate të forta dhe të ushqejë opozitën me një argument tjetër për bojkotin e parlamentit. Gjithsesi ndërhyrja me ligj është tërësisht legjitime edhe në planin politik, nisur nga rezultati i 23 qershorit 2013, por edhe nga fakti se vendimi i fundit i KLD-së, e ka ekspozuar këtë si kolonë në rreshtimin politik të ditës. Është shumë e patakt dhe gati një autogol politik që mbrojtja e KLD-së nga ai që quhet sulm i mazhorancës sjell më tepër prononcimin e opozitës sesa të Presidentit që është kreu i saj.

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.