Letër publike e biznesmenit Hajredin Fratari. Akuza Ministrit të Brendshëm. “Arrestimi im i paligjshëm. Çështjen do ta çoj në Strasburg”

Biznesmeni Hajredin Fratari, arrestuar dhe liruar pak ditë më parë, ka bërë publike sot një letër përmes së cilës akuzon ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri. Fratari thotë se arrestimi ka qenë i paligjshëm dhe se për këtë do të kërkojë drejtësi deri në Strasburg. Ja se ccfarë thotë ndër të tjera biznesmeni: “Më datë 24 tetor 2014, në orën 1015 një punëtor më sjell në zyrë urdhërin nga INUK për pezullim 10-ditor punimesh të objektit që po ndërtoj. Një orë përpara, policia kishte shkuar në objekt dhe kishte nëpërkëmbur katër punëtorë me preteksin e kontrollit. Punëtorët që ruanin objektin dhe merreshin me pastrim e me sistemim materialesh më pas u shoqëruan në polici. Ndërkohë mua më kërkuan të paraqitesha në Postën e Policisë Farkë ku pa asnjë mandat më vunë direkt prangat. Nuk u mjaftuan me kaq, por më bënë edhe një xhiro me pranga përpara atyre që ishin grumbulluar. Pa kundërshtuar hipa në makinën e policisë. Kur i pyeta pse po më arrestojnë m’u përgjigjën shkurt e prerë: “Je i arrestuar”... Dëshiroj të saktësoj gjithashtu që ky ndërtim në tokën time, për të cilin u akuzova se ishte pa leje, po kryhet bazuar mbi lejen e rregullt të ndërtimit me Nr. 661 të nxjerrë nga Komuna Farkë më datë 4 Prill 2012 bazuar mbi Vendimin Nr. 5 të K.RR.T., Komuna Farkë të miratuar më datë 29 Shtator 2011. Më datë 10 Shtator 2014, është depozituar nga ana jonë sipas të gjitha kërkesave ligjore edhe kërkesa për zgjatjen e afatit të lejes. Dosja e plotë e dokumentacionit të depozituar si përpara marrjes së lejes dhe gjatë zbatimit të saj ndodhen në Komunën Farkë dhe një kopje të çdo dokumentacioni jam i gatshëm dhe i hapur ta vendos në dispozicion të medias apo të kujtdo të interesuar.Dihet nga të gjithë që INUK dhe Policia e Shtetit drejtohet nga Ministria e Brendshme dhe Ministri përkatës i Qeverisë Rama. Por ajo që do të doja të shtoja është se me porosinë time, avokati im deklaroi që ditën e parë se çështja nuk duhej të trajtohej politikisht. Këtë e kërkova për arsyen e fortë se nuk dëshiroja kurrsesi që çështja ime të merrte ngjyrim politik, për të mos krijuar përshtypjen e gabuar se unë isha në parregullsi ligjore në lidhje me punën time ndërtimore dhe po kërkoja ta mbuloja atë me bujë apo me mbështetje politike. E ritheksoj, se gjatë gjithë jetës dhe karrierës sime profesionale nuk kam shkelur asnjëherë asnjë ligj dhe asnjë rregull të shtetit tim. Si qytetar që i bindem ligjeve të vendit tim, jam plotësisht i vendosur që për çështjen e arrestimit tim të paligjshëm të kërkoj ndjekjen penale deri në Gjykatën e Strasburgut. Kam besim se drejtësia do ta thotë fjalën e saj. Sesi u organizua i gjithë ky proces i takon drejtësisë ta sqarojë, që me mbështetjen morale i dhanë dimensionin e duhur kësaj ngjarjeje që padyshim nuk e nderon aspak Shqipërine Evropiane”.
http://www.balkanweb.com/kryesore/1/hajredin-fratari-arrestimi-im-me-urd...
s.z
Add new comment