Letër e hapur e stafit: ILDKP, bahçe private e Zana Xhukës

Postuar në 30 Shtator, 2013 12:40

Një e-mail dërguar gjithë mediave, që cilësohet si i shkruar nga gjithë stafi i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, e që i drejtohet kryeministrit Rama, ekspozon të gjithë ankesat e punonjësve të ILDKP-së ndaj drejtueses që zëvendësoi Adriatik Llallën, ish zv.ministrja e Mbrojtjes Zana Xhuka. Nga ILDKP këto kohë kanë dalë shumë lajme, asnjëri për mirë, por në këtë letër të hapur janë përmbledhur të gjitha së bashku. Teksti më poshtë:

 

LETRA E STAFIT TË ILDKP, DREJTUAR KRYEMINISTRIT RAMA

 

“I nderuar Kryeministër!

Dëshirojmë fillimisht, t’ju përcjellim urimet tona të sinqerta, në detyrën tuaj fisnike dhe të vështirë, si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë.

Ne, që po ju shkruajmë këtë emali, jemi pjesë e stafit të punonjësve në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe kontrollit të Pasurive.  Pa dashur që t’ju marrim nga koha e juaj e çmuar, por duke shpresuar e besuar në vizionin dhe mirëkuptimin Tuaj, po ju bëjmë prezent disa nga shqetësimet tona.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, staf i të cilit jemi edhe ne,  që me ardhjen e drejtuesit të ri te tij, Zinj. Zana Xhuka, i ka humbur totalisht të gjitha funksionet ligjore. Ky institucion është kthyer tashmë, në një “prone private“  ku nuk respektohet, as ligji, as etika  dhe as të drejtat e subjekteve deklaruese dhe punonjësve.

Nën terror absolut çdo ditë çelet dhe mbyllet dita e punës.

Shkurtimisht, në radhë kronologjike, po ju parashtrojmë disa nga shkeljet më flagrante, për të cilat jemi çdo ditë dëshmitarë:

1.  Që në ditën e parë të prezantimit të saj me stafin, si kryeinspektorë e ILDKP-së, Xhuka përdhosi pavarësinë e këtij institucioni, duke përshëndetur dhe falënderuar për emërimin e saj në këtë post, ish-Kryeministrin, Sali Berisha.

Dhe ky ishte vetëm fillimi i shkeljes së pavarësisë së këtij institucioni, pasi më tej vazhdoi me detyrimin e të gjithë stafit, për të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara nga kryetarja e parlamentit zonja Topalli dhe nga Partia Demokratike, në funksion të fushatës zgjedhore, gjë të cilën më përpara as e kishim imagjinuar, nga vetë karakteri shumë i pavarur që ka ky institucion.

2.  Të gjitha dosjet e subjekteve, që me urdhër të titullarit të mëparshëm kishin kaluar në kontroll të plotë normalisht apo edhe ata që ishin në proces kontrolli si pasojë e renditjes, u bllokuan pa asnjë shkak ligjor  dhe në mënyrë absurde për të mos u kryer më asnjë veprim me ta. Gjithashtu,  dosjet e përfunduara, ne të cilat evidentohet shkelje ligjore dhe te cilat kalojnë në Drejtorinë Juridike për t'u proceduar që nga hartimi i vendimeve të masave administrative deri te kallëzimet penale, Xhuka pas një procesi selektiv (gjithnjë te karakterit politik) refuzon firmën dhe justifikohet duke i rikaluar sërish në kontroll dhe duke na bërë presion të egër psikologjik ne si staf deri me largim nga puna që të mos kryejmë detyrat tona në mënyrë korrekte.

3. Dosjet e reja, që me udhër të Znj.Xhuka kanë kaluar për kontroll të plotë, nuk po përfundojnë, megjithëse afatet ligjore për kryerjen e kontrollit kanë përfunduar. Kjo situatë ka ardhur, pasi në mënyrë të qëllimshme dhe abuzive, nuk janë vënë në dispozicion të grupeve kontrolluese, dokumentacioni verifikues, i ardhur nga bankat apo institucionet e tjera shtetërore. Shkurtimisht puna e stafit dhe e grupeve kontrolluese ka nëntë muaj, që është pezulluar totalisht. Në këto muaj janë marrë vetëm  masa administrative, gjoba për vonesa dhe mosdorëzim në kohë vetëm për ato subjekte që i përkasin bashkive të majta dhe në të gjitha rastet e tjera, ku bëhet fjalë dhe për shkelje të rënda të pushtetarëve është fshehur krejtësisht  informacioni.

4.  Nëse nga njëra ane neve si staf na bëhet presion i egër dhe i vazhduar me bukën e gojës, që të mos komunikojmë asgjë me jashtë institucionit (media, grupe interesi, madje dhe as me vete subjektet që deklarojnë kur ka ndonjë paqartësi ), znj.Xhuka me të ardhur në institucion si drejtuese, në mënyrë krejt flagrante, na ka urdhëruar që të hedhim në cd dhe t’ia dërgojmë znj.Topalli të gjitha deklaratat e deputeteve duke përfshire këtu dhe shkeljen më të madhe që ka bërë duke i kaluar znj. Topallit të gjithë të dhënat sensitive, personale të deputetëve, të cilat duhet të jenë tepër  konfidenciale dhe që nuk duhet të dilnin nga muret e ILDKP-se.

5. Gjatë këtyre nëntë  muajve, në mënyrë abuzive dhe me qëllim të krijimit të vendeve të punës,  janë bërë largime në shkelje të plotë të ligjit “Për statusin e Nëpunësit civil”.  Megjithëse KSHC ka marrë vendime, për rikthimin në punë te këtyre punonjësve, ky fakt është injoruar në vazhdimësi, nga titullarja e Institucionit.

6. Gjatë këtyre muajve janë bërë emërime të reja, pa konkurs dhe pa asnjë kriter ligjor. Janë emëruar 4 zyrtarë të lartë, të cilët nuk plotësojnë kushtet dhe nuk kanë formimin e duhur për funksionin  që kryejnë aktualisht.

Gjithashtu, si përgjegjës sektori te IT është emëruar  “i shumëpërfoluri” personi i cili fshiu kamerat e kryeministrisë  për ngjarjen e 21 Janarit z.Armando Kaso. Ky emërim, ka sjellë shumë dyshime tek stafi ynë, për vetë natyrën e punës që ka ky instituticion, e cila ka të bëjë dhe  me përpunimin direkt të të dhënave konfidenciale të gjithë subjekteve deklarues.

7. Shorti për kalimin e 4% të numrit total të zyrtarëve në kontroll të plotë, ndryshe nga vitet e tjera u zhvillua me shume vonesë dhe u bë dhe  jashtë çdo kriteri ligjor dhe në fshehtësi të plotë. Shorti u zhvillua sipas një liste qe vete znj Xhuka hartoi, duke përjashtuar të gjithë ata të cilët kanë qenë në funksion shtetëror, deri në dt 31.12.2012, praktikisht të gjitha subjektet që duhet të ishin objekti parësor i kontrollit tonë. Një veprim i tillë ka sjellë për pasojë, realizimin e një procesi kontrolli totalisht të manipuluar, duke e rritur në mënyre artificiale edhe gjoja përqindjen subjekteve të kontrolluara, në 4.2 %.

I nderuar zoti Kryeministër, këto janë vetëm disa nga shkeljet e kryera, nga titullarja e ILDKP-së, Zj Zana Xhuka, shkelje, për të cilat ne nuk na lejohet të flasim apo të ankohemi, pasi kërcënohemi çdo ditë me pushimin nga puna dhe “flakjen” nga institucioni si dhe me lloj lloj forma presioni të ulët.

Duke ju kërkuar sërish ndjesë për kohën që ju morëm,  por Ju jeni shpresa dhe zëri ynë në Kuvendin e Shqipërisë, që të realizohet një orë e më parë edhe zgjidhja e këtyre problemeve dhe e rikthimit të këtij institucioni në normalitet apo mundësisht në përmirësimin e funksionimit të tij.

                                  Me respekt

Stafi i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Ky eshte institucion i pavarur. PErse i drejtohen Kryeministrit keta? E nuk i drejtohen Parlamentit ose presidentit? Kjo sben kuptim. Kjo tregon qe te dy palet jane te politizuar ne kulm. PErse nuk botojne emrat por mbeten anonim? Mund ta kete shkruar nje njeri, mund ta kene shkruar 100. Leter anonime- faj anonim- zgjidhje ska. Apo keta jane perseri lojrat qe jane bere e si gjithmone nuk heqim dore. Vjen kryeminister i ri - o burra kush te tregohet me ithtar se tjetri.</p>

Submitted by Luani (not verified) on

<p>Po c&#39;emra te thone more, ti heqi ajo nga puna? Qenke i lezecem ti. Kta i jane drejtuar kryeministrit, se ai eshte edhe drejtuesi i maxhorances, dhe mund te propozoje ne kuvend nje emer tjeter per ILDKP. Shpresojme qe ky institucion te kthehet i pavarur, pasi eshte katandisur si mos me keq...</p>

Submitted by alban (not verified) on

<p>Ky personi anonimi nje koment beri dhe nuk e vuri emrin e tij,nderkoh qe kerkon qe keta punonjes, qe kercenohen me flakjen ne rrug duhet te shenojne emrat e tyre.Shpresoj qe stafi i ILDKP te gjej zgjidhje sepse nuk ka nevoj per shume fakte per te besuar parregullsite dhe shkeljet qe ben Inspektoria e pergjithshme, e cila esht ven vete nga Ish Kryetarja Parlamentit per te mbyluar (deklarimet e tyre) dhe per te disponuar ne duart cdo gje qe esht e mundur dhe e pamundur.</p>

Submitted by erion (not verified) on

<p>Erdhi koha e gardisteve te kuq. Shkruaj nje leter a a ben nje flete rrufe kunder dikujt me porosi nga lart, me qellim qe te bjere rrufeja e diktatorit mbi te.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.