Lazarati 'qytet droge'. Guardia di Finanza publikon fotot, mbi 500 plantacione të shpërndara droge

Mediat italiane i kanë kushtuar një hapësirë të konsiderueshme Lazaratit, duke mos ngurruar ta cilësojnë atë si 'qytetin e drogës' në Shqipëri. Shkrimet e botuara në gazetat "Corriere della Sera dhe "La Republika", shkruajnë për Lazaratin se është një "smerald" dhe aktivitetin që ushtrohet brenda mureve të tij e cilësojnë "një përrallë e bukur" por që tashmë duhet të marrë fund. "Zbulohet në Shqipëri 'qyteti i drogës'. Fshati i lezetshëm i Lazaratit në rrethin e Gjirokastrës, në jug të vendit të shqiponjave, ka qenë prej kohësh një qytet bujqësor, ku ekonomia është e bazuar ekskluzivisht në kultivimin e plantacioneve të mëdha të marijuanës, të destinuara kryesisht për tregun italian dhe nga atje për gjithë Evropën", - shkruhet në mediat italiane. Po sipas tyre, ky biznes shumë fitimprurës ka arritur të dalë në skenë falë një hetimi të kryer përmes monitorimit nga ajri për më shumë se 12 muaj, me një avion zbulues të Komandës Detare Ajrore Operative të Guardia di Finanza Italiane. Shtypi italian, duke e ilustruar edhe me fotot përkatëse, shtoi se nga ky monitorim u zbuluan 500 plantacione të shpërndara me drogë të gjelbër, e gatshme për të furnizuar tregun italian dhe evropian, dhe pritet të sigurojë nga shitja 4.5 miliardë euro.
R.R.
Add new comment