Lajmi: “NSA përgjon/te edhe Shqipërinë”. Reagon ish-ministri i Jashtëm: “Nuk ka asgjë të keqe. SHBA-të kanë mbrojtur përherë interesat e shqiptarëve”

Postuar në 03 Korrik, 2014 09:28

Sot disa gazeta kishin në vende të dukshme lajmin se NSA-ja amerikane ka përgjuar edhe Shqipërinë, një e dhënë kjo që ka të mirën se krijon iluzionin e të qenit disi i rëndësishëm në këtë botë. Por ndonëse asgjë nuk është bërë e ditur se çfarë kanë përgjuar amerikanët në Shqipëri, ose kë kanë përgjuar, reagimi i deputetëve, apo i disa prej tyre, ka rrezik të jetë unik. Kështu “VizionPlus” përcjell prononcimin e ish-ministrit të Jashtëm Aldo Bumçi, aktualisht deputet i PD-së, sipas të cilit “nuk ka asgjë negative tek përgjimet e NSA-së, pasi SHBA-të kanë mbrojtur gjithnjë interesat e shqiptarëve”. Natyrisht mund të jepej edhe një përgjigje tjetër, disi më me takt, ndonëse të gjithë e dimë se në shumë mënyra SHBA kanë dalë dorëzanë për Shqipërinë. Por nuk ka dalë kot fjala për “hanin e Stavros” nga ky vend, pasi me gjasë që në kohë të hershme kultura e vetëshërbimit ka patur të dhëna të forta. Nga ana tjetër, “VP” thotë se Ministria e Jashtme nuk ka asnjë reagim për këtë çështje, pasi sipas saj “lajmi nuk është konfirmuar nga asnjë burim zyrtar”. Mirëpo edhe Edward Snowden, që i “vuri zjarrin” dynjasë, në media shkoi e i nxori të dhënat dhe të gjithë reaguan. Pyetja është se cili është qëndrimi i Ministrisë nëse kjo gjë konfirmohet nga burime zyrtare? Jo se në fakt, përgjimi prej NSA-së tingëllon edhe aq keq në Shqipëri, se kjo duket,  por reagimi do të duhej të ishte disi më i formuluar, që t’i përgjigjet figurës së nderuar të deputetit. Përndryshe, mirë bën NSA-ja që përgjon, se edhe na ruan nga politikanët që kemi e që nuk dinë realisht të bëjnë ndonjë gjë të hajrit në këtë vend.

http://vizionplus.al/reagimet-per-pergjimet-e-nsa/

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.