Kush do luajë përballë Barcelonës? Kryebashkiaku i Vlorës flet i irrituar për një "ekip miks politik"

Të përditshmet sportive kanë informuar prej ditësh që në nëntor pritet të vijnë në Shqipëri yjet e Barcelonës për një ndeshje miqësore me Flamurtarin e Vlorës. Do kushtojë 2 milionë euro që do paguhen nga dy biznesmenë plus fonde shtetërore. Nuk dihet ku dhe si ka lindur fillimisht ideja, por duket qartë që tashmë ka një përplasje (më saktë, dy) mes qeverisë dhe bashkisë së Vlorës. Mosmarrëveshja e parë ka qenë mbi vendin ku do zhvillohet ndeshja. U tha fillimisht nga bashkia lokale se do ishte stadiumi i Vlorës, por më pas me futjen e qeverisë në lojë, u hodh ideja që kjo ndeshje të ishte "e fundit në "Qemal Stafa" para se ky të prishet. Kjo përplasje e parë u zgjidh nga vetë drejtuesit e superklubit spanjoll që zgjodhën Tiranën gjatë një vizite paraprake për të parë kushtet e stadiumeve në Vlorë dhe kryeqytet.
Përplasja e dytë është për përbërjen e skuadrës që do luajë përballë Barcas. Me sa duket Ministria e Kulturës po tenton një "ekip miks" me lojtarë të Flamurtarit por jo vetëm, - ide e cila e ka "tërbuar" kryetarin e bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Në një intervistë për të përjavshmen JAVA me Skënder Minxhozin, ndër të tjera, Gjika thotë:
"...Kjo është një ide sportive, e cila është në kuadër të festimeve të 100 vjetorit. Por edhe në këtë ide, qeveria nuk mund të rrinte pa ndërhyrjen e saj të paarsyeshme dhe me qëllim sërish shmangien e Vlorës. Unë mund t’ju them vetëm që nëse Barcelona do të vijë në Shqipëri, ajo do të ndeshet vetëm me Flamurtarin dhe jo me seleksione politiko-sportive të panjohura, siç ministri i kulturës është ngarkuar të formojë. Si mund të zhvillohet një ndeshje futbolli me një ekip politik që qeveria e quan “skuadra e kategorisë së parë”? Në cilin vend të botës mund të ndodhin absurditete të tilla. Por qesharakja nuk ka fund me këtë ministri kulture, e cila pararendësin e kishte një ministër që u angazhua të përmirësonte cilësinë e diellit dhe që nuk dinte as se eshtrat e Ismail Qemalit preheshin në Vlorë. Ndërsa ky i tanishmi po përpiqet të krijojë dhe skuadra politike të padëgjuara asgjëkundi..."
A.N.
Më shumë: http://www.revistajava.al/kryesore-ne-kopertine/2012924/nuk-e-japim-as-p...
Foto: Një nga festimet e Barcelonës me ish-trajnerin Guardiola
Add new comment