Kurth apo krim? Apo njëra nuk përjashton tjetrën?

Dy ditë pas arrestimit të koordinatorit të grevës së urisë, Asllan Patrioti, shtypi i sotëm e ka parë pretendimin e hetuesve ndaj tij në mënyra të ndryshme.
Shqiptarja.Com në kryeartikullin e vet e konsideron një "kurth" dhe këtë e mbështet te CV e personit që ka bërë denoncimin ndaj Patriotit. Ky është Massimiliano Nikolini, i cili, sipas të përditshmes në fjalë është i hetuar në Itali për mashtrim. Ka mashtruar duke u hequr si konsull nderi në Shqipëri dhe e ka përdorur këtë staturë mashtruese në transferta të dyshimta bankare - mësohet nga raportimi. "Një supermashtrues italian rezulton se ka denoncuar kordinatorin e grevës së urisë. Ish-ortaku i vet në Tiranë e përshkruan si specialist të mashtrimit dhe hajdut klasik - lexohet që në faqen e parë të së përditshmes "Shqiptarja.Com".
Kurse MAPO ka botuar një artikull me të dhëna të cituara nga prokuroria ku lexohet:
"Patrioti ka rënë në kontakt me shtetasin italian M.N, pas denoncimit që ky i fundit kishte bërë në polici për vjedhjen e automjetit të tij në Tiranë. Kjo çështje ishte ende nën hetim nga prokuroria, kur në lojë ishte futur Asllan Patrioti, i cili ka folur në emër të shefit të një komisariati në kryeqytet. Si shpërblim për kthimin e automjetit të gjetur brenda pak ditësh, i arrestuari ka kërkuar nga shtetasi italian shumën e 700 eurove... Sipas burimeve mësohet se Asllan Patrioti është arrestuar menjëherë sapo mori shumën e parave nga shtetasi italian M.N., veprim ky që është filmuar nga agjentët e policisë, të cilët kishin në ndjekje të dyshuarin. Prokuroria thotë se nga provat e deritanishme i ndaluari dyshohet për veprën penale “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Familja e Asllan Patriotit ka një version tjetër për marrëdhëniet mes koordinatorit të grevës dhe italianit në fjalë: “Me këtë person, Asllani është njohur në qytetin e Durrësit, pas një panairi pune, ku ishte prezantuar edhe shoqata e ish-të përndjekurve, e drejtuar nga Asllani. Ai erdhi këtu në Shqipëri dhe hapi një filial të kompanisë së tij të sigurimeve. Quhet Masimiliano italiani. Pasi hapi kompaninë e tij u largua në drejtim të Italisë për arsye shëndetësore dhe la dy makina në zyrat e kompanisë, të cilat u vodhën. Masimiliano kishte denoncuar në polici, por askush nuk ishte marrë seriozisht me hallin e tij. Deri në momentin kur vëllai mori përsipër ta ndihmonte për gjetjen e makinave. Ai i kishte premtuar se sapo të gjente makinat, një prej tyre do t’ia jepte Asllanit me gjysmë çmimi" (A.N.)
Artikulli në MAPO:
http://www.mapo.al/2012/10/19/zbardhen-pergjimet-e-patriotit...
Artikulli në Shqiptarja.Com:
http://www.shqiptarja.com/home/1/arrestimi-mashtruesi-italia...
Add new comment