Kur drejtësia fillon nga poshtë

Postuar në 15 Dhjetor, 2014 15:14

Aksioni i OSHEE për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë i shoqëruar me ndëshkimin e vjedhësve të energjisë dhe shkarkimin nga puna të buxhetorëve debitorë është një nga modelet sesi qeveria kërkon të fusë në hullitë e ligjit shpërdorimin që i është bërë për vite me radhë një të mire publike. Në emër të transparencës Ministria e Brendshme harton çdo ditë komunikata, ku njofton rezultatet e aksioneve që përfundojnë me arrestimin, shoqërimin apo shpalljen në kërkim të personave që kanë kryer lidhje të paligjshme të energjisë apo kanë ndërhyrë në sahatët matës duke iu shmangur detyrimeve reale. Të krijohet përshtypja se shteti më në fund po vepron ndaj shkelësve të ligjit në emër të një morali të ri me të cilin qeveria kërkon të vendosë drejtësinë. Por në këtë histori nuk ka vetëm një palë, nuk janë vetëm qytetarët që i janë shmangur detyrimeve të energjisë elektrike, ata janë toleruar në vite në emër të një filozofie që buronte nga zyrat e vetë KESH-it dhe drejtuesve të saj. Për të besuar në moralin që kërkon të bëjë drejtësi, qeveria duhet të na thotë së pikë së pari se kush e ka patur detyrën për të mos lejuar lidhjet e paligjshme, se kush e ka patur përgjegjësinë për të mirëadministruar shpërndarjen e energjisë elektrike, se kush e ka toleruar vjedhjen e energjisë elektrike. Kanë qenë zyrtarë dhe rrogëtarë të emëruar nga selitë e partive që në këto 20 vite kanë patur pushtetin dhe që me vullnet dhe vetëdije kanë qenë të parët që kanë shkelur ligjin, duke krijuar terrenin për të përfituar nga emërimi në të tilla poste publike me marzh të lartë fitimi. Ata janë strategët e një situate dhe mendësie që u është përcjellë njerëzve “poshtë” se shtetin mund ta vjedhësh si të duash dhe kur të duash.  Për të besuar në moralin që kërkon të bëjë drejtësi, qeveria duhet të na thotë pse dhe kush për vite me radhë u ka faturuar qytetarëve shumë herë më shumë kilovat nga sa kanë konsumuar. Ku kanë shkuar këto para dhe a nuk do të ishte drejtësi që ato t’u ktheheshin mbrapsht familjeve që janë grabitur nga vetë ofiqarët e shtetit? Edhe në këtë pikë ligji shkon deri tek faturistët e thjeshtë, disa prej të cilëve sipas njoftimeve thuhet se janë arrestuar. Por nën akuzë nuk është asnjë ish-titullar i ndërmarrjeve që prej vitesh kanë administruar shpërndarjen e energjisë elektrike. Nuk është aspak e vështirë të kuptosh se ku kanë shkuar paratë që u janë mbifaturuar qytetareve dhe paratë që ish-drejtuesit e KESH-it (të përgjitshëm apo rajonalë) kanë marrë si rryshfet për të toleruar lidhjet e paligjshme dhe vjedhjet e energjisë. A ka bërë qeveria një verifikim të pasurisë së këtyre personave që kanë mbajtur poste drejtuese në KESH, OSSH dhe OST. Shumë prej tyre rezultojnë me pasuri që nuk mund të justifikohen me pagën e një drejtori të thjeshtë. Përgjegjësia për shpërdorim të detyrës mund të shkojë edhe më lart, edhe tek ish-ministra që kanë toleruar “krimin financiar” që shteti të vjedhë shtetin.  A do t’i hetojë prokuroria këta persona në emër të moralit që kërkon të bëjë drejtësi? A do t’u sekuestrohen pasuritë të gjithë atyre zyrtarëve të KESH, OSSH dhe OST që kanë abuzuar me detyrën dhe paratë t’i shkojnë arkës së shtetit? Kryeministri nuk i ka ende dhënë përgjigje asnjë prej këtyre pyetjeve, por me aktin e fundit ka bërë që Shqipëria të jetë i vetmi vend në botë ku qeveria falenderon publikisht ata që paguajnë dritat.

 

l.mitro

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.