KSHH kundër botimit të SMS-ve, blogjet online e krahasojnë Nazime Vishën me Natascha Kampusch

Postuar në 18 Gusht, 2012 04:29

Disa të përditshme kanë botuar sot një deklaratë të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i cili ka reaguar për sjelljen publike ndaj vrasjes së kryer nga Nazime Visha, duke kritikuar medien që ka publikuar SMS intime dhe prokurorinë që ka lejuar të degradojë situata.

Thuhet në deklaratë: "KShH mendon se celularët, ashtu si dhe dokumenta apo ojekte të tjera materiale që kanë lidhje me çështjen, disponohen nga organet e ndjekjes penale dhe sipas rastit ato janë objekt hetimi dhe shqyrtimi gjyqësor. Vlen të përmendet se, sipas nenit 279 të Kodit të Procedurës Penale, veprimet hetimore në përgjithësi janë sekrete dhe vetëm prokurori mund të lejojë me vendim të arsyetuar publikimin e tyre".

Më pas KSHH ve theksin në një kallzim të "harruar": "…E akuzuara dyshohet se është përdhunuar kur ajo ka qenë rreth moshës 14 vjeç. Ka të dhëna se ka bërë kallëzim në polici për rrëmbimin e saj nga viktima para disa kohësh. Më vonë, thuhet se ajo ka hequr dorë nga ky kallëzim. Nëse është kështu, KShH mendon se kjo, impononte së pari, një ekspertim mjeko-ligjor dhe së dyti, verifikimin nëse kjo tërheqje ishte vërtetë e vullnetshme apo jo…".

Ky segment i historisë së këtij krimi nuk është fort i rrahur nga media. Por ai dhe botimi i SMS-ve intime të së miturës është përcjellë me shumë irritim në forumet online që duhet thënë se janë shumë më të çlira nga gardhet e solidaritetit prej kolegësh ose interesa të tjera që stopojnë kritikat e vetë mediave për botimet e simotrave të tyre. Në blogun PPU, përshembull, një nga më të ndjekurit nga moshat e reja, rasti i Nazimes krahasohet me atë të Natasha Kampuçi (Natascha Kampusch), e cila u rrëmbye e mitur në 1998 dhe u abuzua deri në 2006. Shkruan PPU:

"Këto  ditë një vajzë 18 vjeçare ka vrarë përdhunuesin e saj pedofil 45 vjeçar. Që në moshën 14 vjeçare agresori e ka rrëmbyer vajzën dhe e ka dhunuar për disa ditë rrjesht. Vajza e mitur ka kallzuar në polici por më vonë e ka tërhequr padinë duke deklaruar se ka shkuar me "dëshiren e saj".Policia dhe prokuroria me lehtesinë e një krimineli e kanë quajtur çështjen të mbyllur megjithse ligji i detyron të hetojnë e dënojnë një akt seksual me një të mitur me dhunë a me dëshirë qoftë. Më e keqja Gazeta Panorama dhe gazetarë të saj kanë marrë përsipër të mbrojnë prokurorinë dhe policinë duke botuar sms dhe foto të viktimës së mitur dhe agresorit duke i quajtur dhe "çift". Nazmie Visha është një Natasha Kampuçi (Natascha Kampusch) shqiptare, por më e zonja se ajo…"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.