Kryetari PD, Basha sot fut mes fjalive edhe fjalët “atentat” dhe "pritë"

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e konsideron shtyrjen e ligjit të nëpunësit civil, një atentat të rëndë që i është bërë konsensusit të 30 majit. Ai deklaroi se opozita është në dialog të vazhdueshëm me qytetarët për rrezikun që i kanoset me shkelmimin e konsensusit, sipas Balkanweb. Gjëja që bie në sy në fjalimet e fundit është strategjia e re verbale e Z. Basha që përmend fjalë me ngarkesë të rëndë si “thikë”, “kobure”, dhe së fundmi “atentat” e "pritë", në mes ligjëratash standarde politike, madje bashkë-vendos “atentat” me “dialog të vazhdueshëm”, “thikë” me “konsensus”, “kobure” me “integrim“.
Kjo strategji duket se po synon të trupëzojë në një ligjëratën e krye-opozitarit të ri me terminologjinë politike të të paraardhësit. Dhe vërtetë, në çdo fjali të z. Basha, ngulet si pykë fjalë që mbartin hijen e z. Berisha.
Se sa ky fjalor i ri i kreut të opozitës do mund të bëjë efekt në Shqipërinë e lodhur nga mbi-ngarkesa emocionale dhe agresiviteti verbal i 20 viteve të fundit, mbetet për t’u parë.
k.c.
Add new comment