Kryeministri Rama pas takimit me Kryeministrin grek, Samaras, në Uells: Dinamikë të re bashkëpunimit dypalësh me Greqinë

Zyra e shtypit e kryeministrisë bëri të ditur se Kryeministri Edi Rama u takua në Uells, me Kryeministrin e Greqisë, Antonis Samaras. Kryeministri Edi Rama theksoi vullnetin e Qeverisë shqiptare për t’i dhënë një dinamikë të re bashkëpunimit dypalësh me Greqinë. Gjithçka në frymën e partneritetit e të fqinjësisë së mirë, si dhe në kuadër të bashkëpunimeve dhe nismave rajonale, në përputhje me realitetin e ri të rajonit. Në takim u ndanë pikëpamjet respektive për çështje që lidhen me marrëdhëniet mes dy vendeve, duke nënvizuar gatishmërinë për t’i zhvilluar ato më tej. Me interes të veçantë në këtë takim u fol për projektet me rëndësi rajonale në fushën e infrastrukturës dhe të energjisë, të diskutuara në kuadër të platformës së Samitit të Berlinit.
Takimi u zhvillua në Newport, Uells, ndërsa delegacionet e dy vendeve marrin pjesë në Samitin e NATO-s, sqarohet nga zyra e shtypit e kryeministrisë.
L.V
Add new comment