Kryeministri i Shqipërisë i bën thirrje Eurozonës "të përqëndrohet" dhe të mos bëjë "sikur nuk ka ndodhur gjë"

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha i ka bërë thirrje vendeve të zonës së euros... "të përqëndrohen". "Përqendrimi për zgjidhjen e krizës së euros është jetik, i një rëndësie kryesore jo vetëm për popujt e vendet e zonës së euros, por për të gjitha vendet e popujt e Europës dhe më gjerë, për shkak të peshës së madhe që kjo monedhë ka sot, në tregun monetar botëror. Mirëpo zona jashtë saj përballet me pasojat e kësaj krize dhe e vërteta është se përqendrimi për ta kufizuar këtë krizë në zonën ku ajo ndodhet, është pothuaj inekzistent, - ka thënë sot Berisha në Konferencën e 10-të të Bankës së Shqipërisë (në foto).
Madje, i ka bërë edhe një "thirrje" Komisionit Europian, duke theksuar se strategjia "nuk do mund të funksionojë, në rast se ajo paraqitet njëlloj sikur nuk ka ndodhur gjë":
"Ndaj, thirrja ime si për Komisionin Europian e në mënyrë të veçantë për institucionet e Bretton Wood është që të përpunojnë një strategji ndihme, në mënyrë që të kufizohet kriza ekzistuese e të parandalohet përhapja e saj. Por kjo strategji nuk do mund të funksionojë, në rast se ajo paraqitet njëlloj sikur nuk ka ndodhur gjë. Kemi të bëjmë me një krizë të thellë në qendër, e cila rrezaton drejt periferisë e ndikon në mënyrë negative vazhdimisht, ndaj duhet një përqasje e përballje emergjente dhe më e veçantë...".
Kështu nuk mund të ecet më - mendon kryetari i qeverisë shqiptare, duke futur dhe një "informacion" që ka marrë, sic thotë, nga guvernatori i Kinës.
"Vendet e Zonës Euro, me shumë të drejtë theksojnë nga mëngjesi deri në darkë, mungesën e rritjes dhe çfarë të bëjnë për të. Ndërsa vendet që kanë rritje kërcënohen të humbasin rritjen. Kjo do të ishte e dëmshme, fatale, jo vetëm për vendet e zonës jashtë euros, por edhe për vetë vendet e Zonës Euro. Një takim u bë në Tokio, por nuk dëgjuam të reja apo të veçanta. Para një viti e gjysmë, takova në Tiranë, guvernatorin e Bankës Qendrorë të Republikës Popullore të Kinës, i cili më informoi se ky vend i kishte dhënë Fondit Monetar Ndërkombëtar 100 miliardë dollarë dhe as edhe një dollar i vetëm nuk kishte përfunduar në vendet në zhvillim, por të tëra, në vendet e zhvilluara. Në rast se ecim në këtë mënyrë, është jashtëzakonisht e pashmangshme kontributi në përhapjen e krizës.." - është shprehur Berisha. (A.Th.)
Fjalimi i plotë në faqen e Këshillit të Ministrave:
http://www.km.gov.al/?fq=brenda&m=news&lid=17236
Add new comment