Kryeministri Berisha mban fjalën kryesore në Konferencën mbi rolin e Kishës Katolike (!)

Konferencën mbi rolin e Kishës, e kish thirrur Kryeministri! Të paktën, kjo përshtypje të krijohet duke parë lajmet. Top Channel në kronikën e vet për konferencën e cila kishte si qëllim trajtimin e rolit të Kishës Katolike në Pavarësinë e Shqipërisë, dha kryeministrin të parin duke folur gjerësisht për rolin e Kishës (që ka pasur një firmëtar të vetin në Deklaratën e Pavarësisë, Dom Nikollë Kaçorrin), e më pas nja dy fjalë dhe Imzot Rrok Mirdita.
“Rilindja jonë ishte e vonshme për arsye të njohura, por kisha dhe korifenjtë e saj u shndërruan në krijuesit e veprave. Me veprat e Dom Nikoll Kaçorit, Atë Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës dhe meshtarëve të tjerë të mëdhenj, është i lidhur alfabeti i gjuhës sonë”, tha Berisha.
Që Kryeministri dëshiron, mundet dhe po e fiton një kapital politik nga rasti i festimeve të 100 vjetorit, nuk është as gjë e keqe e as e pamoralshme. Po të dukej edhe Presidenti si simbol bashkimi diku, në ndonjë podium, do ishte akoma më mirë. Por, ka aktivitete ku fjala u takon specialistëve dhe atyre që kanë realisht diçka për të thënë, përtej vetë-promovimit. Historianët, studiuesit klerikë, dhe përfaqësuesit e feve të tjera mund të ishin më interesantë në kumtet e tyre në këtë konferencë (që dhe po ka ndodhur, nuk i morëm vesh).
Nga pamjet në ekran nuk kuptohej ndryshimi nga një mbledhje e Këshillit të Ministrave, përveç faktit që në vend të ministrave, dëgjues të vëmendshëm ishin përfaqësuesit e të tëra besimeve fetare.
Pyetja që lind është, a ka vërtet nevojë feja për promocion nga kryeministri?
k.cukali
Add new comment