Kronikë e mosmiratimit të Buxhetit 2013 (në Maqedoni ama)

Ka tensione të mëdha në Maqedoninë fqinje të ardhura pas miratimit të buxhetit për vitin 2013. Pas dyerve të mbyllura në Kuvendin e Maqedonisë, deputetët e partive në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI, miratuan Buxhetin, por vetëm pasi nxorën jashtë sallës përfaqësuesit e mediave dhe deputetët e opozitës maqedonase.
“Me 65 vota pro dhe me 4 kundër, konstatoj se Kuvendi i Maqedonisë miraton projektbuxhetin e vitit 2013”, kumtoi kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Trajko Veljanovski. Deputetët e shumicës parlamentare kanë përshëndetur me duartrokitje, siç kanë thënë, miratimin e dokumentit më të rëndësishëm financiar të shtetit.
Deputetët e opozitës LSDM dhe PDSH iu bashkëngjitën masës së protestuesve. "Lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski para disa mijëra protestuesve ka deklaruar se do të qëndrojë para parlamentit deri sa të jetë e nevojshme për të mbrojtur Kushtetutën dhe shtetin juridik – raporton radio europa e Lirë dhe citon:
"Kjo ditë do të mbahet mend edhe si ditë tragjike, por edhe ditë e madhe. Prej sot në Maqedoni ka një regjim diktatorial në njërën anë dhe në anën tjetër populli. Gruevski sot e bëri hapin e tij fatkeq. Ai prej sot vendosi se edhe Maqedonia e ka Sllobodan Milloshevicin e saj. U rrahën gazetarë, deputetë dhe populli. Për fat të keq, në vend se të vetëdijesohet, ai e ka marrë rolin e Millosheviqit, nxit popullin kundër njëri-tjetrit me qëllim që të shkaktojë incidente dhe tensione. Në qoftë se e ai ka vendosur të jetë Sllobodan Millosheviq, do ta marrë edhe ai 5 tetorin e tij” (diktatori serb ra në 5 tetor 2010).
Paradite para Parlamentit të Maqedonisë ishin plagosur ndërkohë disa protestues nga gurët dhe drunjtë e hedhur mes dy grupeve të protestuesve, të parët që protestonin në mbrojtje të opozitës LSDM-së që të mos miratohej Buxheti 2013 (është akuzuar si i destinuar për rritjen e rejtingut të kryeministrit Gruevski) – ndërsa grupi tjetër i protestuesve i ka dalë në mbështetje VMRO-DPMNE-së, duke protestuar kundër protestës së të parëve.
Përplasje fizike ka pasur edhe brenda Kuvendit. Në tentimin e deputetëve të VMRO-DPMNE-së për të hyrë në sallën plenare përmes derës alternative, ka reaguar turma e mbledhur e deputetëve të LSDM-së, dhe puna ka ardhur deri te përplasja fizike mes deputetëve të opozitës dhe pozitës, kur këta të parët tentuan të bllokojnë foltoren e parlamentit për të pamundësuar mbajtjen e sencës për miratimin e buxhetit.
Opozita kundërshtoi miratimin e buxhetit për shkak të refuzimit të kërkesës së saj për shkurtimin e mbi 200 milionë eurove që qeveria e Shkupit i ka destinuar për promovime. A.N.
Add new comment