Kreut i Apelit në Tiranë: Gjin Gjoni fitoi miliona euro! Reagimi: Alaudin Malaj merr çështjet ekonomike

Postuar në 12 Prill, 2014 05:01

Një letër e publikuar dje, që i është dërguar Presidentit të Republikës, si dhe zyrtarëve më të lartë të drejtësisë, është bërë objekt i diskutimeve të gjata në mbledhjen e djeshme të KLD-së, pavarësisht se nuk ka qenë në rendin e ditës. Letra mban datën 3 mars 2014 dhe është firmosur nga kryetari i Gjykatës së Apelit të Tiranës, Alaudin Malaj, ku “akuzon” rëndë gjyqtarin e Apelit, Gjin Gjoni, i cili është edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Zoti Malaj, sipas letrës, pretendon se Gjoni ka përfituar miliona euro nga abuzimet, ndërsa thotë se ky gjyqtar ka prishur edhe marrëdhëniet me Gjermaninë, për shkak të lirimit nga burgu të një personi që është arrestuar në vendin tonë dhe kërkohej nga shteti gjerman. Gazeta “Shqip” ka kontaktuar me gjyqtarin e “akuzuar”, Gjin Gjoni, i cili i ka mohuar në mënyrë kategorike këto akuza, duke i quajtur të pabaza, ndërsa tha se do të ndjekë të gjitha hapat ligjorë. Ai konfirmoi se nuk ishte vënë në dijeni të kësaj letre, por vetëm nëpërmjet medias. Gazeta ka kontaktuar edhe me firmëtarin e kësaj letre-denoncuese, kryetarin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Alaudin Malaj, i cili mohoi që t’i ketë dërguar Presidentit të Republikës një letër të tillë dhe aq më tepër për zotin Gjoni. Zoti Malaj pohoi se nuk ndodhej në Tiranë, por ishte në Austri, dhe pasi të vinte në Shqipëri do të bënte të gjitha sqarimet e nevojshme.

Letra drejtuar Presidentit

Dje në mëngjes, televizioni “A1 Report” ka publikuar një letër drejtuar Presidentit, e cila ka pasur gjithashtu edhe numër protokolli, ndërsa si lëndë kishte: “Sqarimin e anëtarëve të KLD-së mbi ankesën e z. Agim Selimi dhe të ankesës së anëtarit të KLD-së, z. Gjin Gjoni”. Letra i ishte drejtuar Presidentit të Republikës, nënkryetarit të KLD-së, kryetarit të Gjykatës së Lartë, ministrit të Drejtësisë dhe anëtarëve të Këshillit. Në përmbajtjen e kësaj letre, kryetari i Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj, akuzon anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni, për presione ndaj tij dhe gjykatës duke kërkuar të ushtrojë ndikim në një çështje. Bëhet fjalë në çështjen gjyqësore ku shtetasi amerikan, Gerhard Haag, akuzon shtetasin shqiptar Agim Selimi, se u ka marrë në forma mashtrimi një objekt me anë të një akti shitjeje. Çështja është ndarë me short të gjykohej pikërisht nga kreu i Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj. Sipas sqarimit të kryetarit të Apelit për Presidentin, anëtari i KLD-së, Gjoni, ka shfrytëzuar një gabim njerëzor në publikimin e datës së fillimit të gjyqit, për të sulmuar në analizën vjetore të punës për vitin 2013 të Gjykatës së Apelit, që sipas sqarimit të Malajt, anëtari i KLD-së, i interesuar për përfundimin e çështjes gjyqësore në favor të të paditurit Agim Selimi, ka reklamuar në mënyrë antiligjore kërkesën e këtij të fundit për largimin e vetë Malajt nga gjykimi i kësaj çështjeje. “Ndërhyrja ose çdo lloj ndikimi tjetër në ushtrimin e detyrës së një gjyqtari tjetër përbën shkelje të rëndë disiplinore, si një akt apo sjellje që diskrediton pozitën dhe figurën e gjyqtarit”, – thuhet në letër. Sipas Malajt, Selimi ka mundur të kalojë një letër dhe t’ua shpërndante anëtarëve të KLD-së pa kaluar më parë tek inspektorët, duke aluduar për ndihmën e Gjonit në këtë veprim. Malaj rendit edhe manipulimin e bërë në rastin e aksidentit me vdekje të një 13-vjeçareje, për të cilën në bashkëpunim me oficerët e policisë gjyqësore, ia ka faturuar bashkëshortes. Në letër përmendet edhe vendimi i Gjin Gjonit, kur ishte gjyqtar për një trafikant ndërkombëtar, shtetas i huaj, të cilit i ndryshoi masën e sigurisë duke e lënë në arrest shtëpie. Madje, në letrën e publikuar, detajohet edhe një çështje, ku përfshihet edhe Aeroporti i Rinasit, çështje e cila ka prishur marrëdhëniet me Ministrinë e Jashtme gjermane dhe ku Gjin Gjoni, sipas Malajt ka fituar miliona euro nëpërmjet presioneve të bëra gjyqtarëve.

Reagimi i Gjin Gjonit

Gazeta “Shqip” ka kontaktuar me anëtarin e KLD-së, Gjin Gjoni, në lidhje me këtë letër-denoncim të dërguar të gjithë zyrtarëve të lartë të drejtësisë. Zoti Gjoni pohoi se ka parashikuar për sot edhe një konferencë për shtyp, ku do të japë të gjitha shpjegimet e duhura, ndërsa mohoi në mënyrë kategorike këto akuza, që thuhen në letër. Ai tha se është i gatshëm që KLD-ja ta pezullojë, deri në zbardhjen e plotë të këtyre akuzave, ndërsa konfirmoi se asnjë prej akuzave nuk qëndrojnë. Në lidhje me “konfliktin” me zotin Malaj, anëtari i KLD-së pohoi se gjithçka ka filluar pas analizës së fundit të Gjykatës së Apelit, ku, pa praninë e mediave, është diskutuar edhe për ndarjen e çështjeve. Në këtë analizë ka pasur diskutime në lidhje me caktimin e çështjeve, ku vetë Gjoni ka pretenduar se si ka mundësi që “dosjet ekonomike” i bien të gjitha kryetarit të Gjykatës së Apelit të Tiranës, Alaudin Malaj. Gjoni pretendon se në këto diskutime s’ka pasur fyerje, por vetëm diskutime “për të mirën e punës”, ndërsa theksoi se, pas kësaj analize, ka mësuar vetëm nëpërmjet medias se Malaj i ka dërguar një letër Presidentit, apo anëtarëve të KLD-së. “I kam kërkuar sot (dje) KLD-së që të hetohem, apo edhe të pezullohem deri në zbardhjen e plotë të këtyre akuzave”, – pohoi Gjoni, ndërsa theksoi se kërkesa ndaj Këshillit ka qenë me insistim, duke qenë se letra ka qenë e rëndë. Më tej, Gjoni shpjegoi për “Shqip” se “do të bëj kallëzim penal ndaj kryetarit të Gjykatës së Apelit të Tiranës, zotit Alaudin Malaj, për shpifje”.

Malaj dhe KLD-ja

Pas publikimit të letrës dhe reagimit mjaft të ashpër të zotit Gjoni, gazeta ka kontaktuar me kryetarin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Alaudin Malaj. I pyetur për këtë letër të publikuar në media, Malaj mohoi t’i ketë çuar Presidentit një letër të tillë, duke saktësuar se “nuk e di se për çfarë letre bëhet fjalë”. Ai tha se nuk gjendej në Tiranë dhe sapo të mbërrinte në Shqipëri do të bënte sqarimet përkatëse, pasi në momentin që e kontaktuam, ndodhej në Vjenë, Austri.

Burimet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë pohuan se mbledhja e djeshme është karakterizuar nga debate të forta, në lidhje me përmbajtjen e letrës, ku Gjoni ka kërkuar hetimin e tij, madje i është drejtuar disa herë Presidentit. Kërkesat e tij kanë qenë me insistim dhe pas disa debateve, është larguar nga salla.

Për këtë përplasje, mes Malajt dhe Gjonit, mësohet se është investuar edhe kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Ai ka tentuar që të kryejë një takim mes këtyre dy gjyqtarëve të Apelit, por pa ia dalë dot mbanë.

Duket se akuzat që kanë përfshirë Gjykatën e Apelit, janë të paprecedenta, pasi kjo është hera e parë që gjyqtarë të caktuar akuzojnë kolegët, madje edhe me fakte të rënda. Duket se “klani” i gjyqtarëve ka sjellë përçarjen e parë, ku në ditët në vijim pritet të ketë negociata për “zbutjen” e kësaj përplasjeje, ndërsa në “lojë” mund të futen edhe institucionet përkatëse, për hetimin apo sheshimin e kësaj situate.

 

Sokol Çobo, Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.