A. Krasniqi: Keqkuptimi i qeverisë lidhur me Visho Ajazin

Zëdhënësja e qeverisë, njëherësh ministre e integrimit, u shfaq para gazetarëve pardje për të thënë të vetën në debatin mbi kreun e ri të SHISH-it, dhe sipas Afrim Krasniqit që ka shkruar për shqiptaren.com, “nuk mbrojti praktikën proceduriale të ndryshimit të kreut të SHISH-it, por apriori dhe mbi bazën e logjikës tiranike tha se shumica ka të drejtë të marrë çdo vendim dhe se në çdo vend demokratik SHISH është pjesë e ekzekutivit”. Është po Afrim Krasniqi që komenton këtë qëndrim të zëdhënëses së qeverisë:
“Deklarata e saj, përveç padijes për demokracinë, botën, kushtetutën dhe sistemin tonë politik, përbën një rast tipik të arrogancës së pushtetit, vetdijes së tij të gabuar sunduese dhe vullnetit të saj për të pushtuar cdo institucion e hapësirë politike, kushtetuese e publike. Ky rast përbën shembullin tipik të tiranisë së shumicës, paaftësisë së saj për të qenë vizionare dhe racionale në ushtrimin e pushtetit, në respektin ndaj shtetit ligjor dhe kushtetutës, si dhe njëherësh, deformimit të thellë të koncepteve të së djathtës shqiptare për shtetin, integrimin, të drejtën dhe demokracinë. Sepse nëse supozohet se e drejta e shumicës qenka e pakufizuar në cdo institucion dhe vendimmarrje, cila është e drejta e atyre që nuk e kanë votuar atë, kanë abstenuar ose e kanë refuzuar votën politike? Cili është kufiri ndarës midis të drejtës së shumicës pushtetit në sistemin politik dhe detyrimeve e përgjegjësive të saj? Cili është kufiri midis ushtrimit të pushtetit të shumicës dhe shtetit, pra midis një pale që qeveris katër vjet me shtetin, qytetarët e shoqërinë që ekzistojnë prej mëse një shekulli, midis modelit të partisë - shtet dhe shtetit qytetar ku partitë konkurrojnë për mirëqeverisjen me rotacion të vendit? Mazhoranca nuk ka përgjigje, opozita gjithashtu, dhe kështu qytetarët dhe themelet e shtetit ndjehen të braktisura, demokracia luhet si një tragjikomedi dhe interesat madhore trajtohen si plackë në tregun e interesave politike.”
Shkrimi i Krasniqit titullohet ‘Shumica dhe pakica e keqkuptuar’, dhe të plotë mund ta lexoni në linkun: http://ëëë.shqiptarja.com/analiza/2709/shumica-dhe-pakica-e-keqkuptuar-111616.html
E.G.
Add new comment