KQZ-ja duhet të jetë e heshtur - thotë Blushi i PS dhe tregon për një koleg italian që nuk ia di as emrin kreut të KQZ-së

"S’doja të flisja për këtë temë, por kur e sheh nga jashtë, nga televizori… Ndonjëherë përpiqem të mendoj, ç‘mendim kanë njerëzit për ne. Kur afrojnë zgjedhjet, kur e sheh nga televizori, ndonjëherë mendon se KQZ-ja po kandidon në zgjedhje. Në fakt, partitë kandidojnë në zgjedhje, jo KQZ-ja. KQZ-ja në Shqipëri kthehet në një institucion aq të rëndësishëm, edhe pse në vendet e tjera nuk e ka një rëndësi të tillë. Po bisedoja me një mikun tim Italian dhe ata do i zhvillojnë zgjedhjet pas një muaji, nga fundi i shkurtit dhe e pyeta cili ishte kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve në Itali. M’u përgjigj që nuk e dinte. Askush nuk e dinte. Nuk bëhet kurrë lajm në televizor. Por KQZ-ja në vendin tonë është aktori kryesor gjashtë muajt para zgjedhjeve. Sa herë që ndez televizorin, anëtarët e tij dalin dhe flasin për orë të tëra, madje në lidhje direkte, të gjitha stacionet i transmetojnë fjalimet e tyre dhe shtrohet pyetja: pse?"
Paragrafi është shkëputur nga një intervistë e deputetit socialist B.Blushi në Bugajski Hour në televizionin AS. Dhe ndërhyrjes më pas të Bugajskit: "Duhet të jetë si një ndeshje futbolli, me gjyqtarët. Ndeshjet më të bukura janë ato të cilave s’ua mbajmë mend gjyqtarin...", Blushi i përgjigjet: "E saktë. Ne e mbajmë mend shumë mirë gjyqtarin. Vetëm gjyqtarin shohim dhe pyetja është pse? Pse është kaq i rëndësishëm? Besoj se duhet t’ua ndryshojnë rolin. KQZ-ja duhet të jetë e heshtur. Nëse s’janë të heshtur dhe ta bëjnë punën e tyre siç duhet, në përputhje me Kodin Zgjedhor, ky vend do ketë probleme të mëdha. Do doja që KQZ-ja, të gjithë ata që merren me zgjedhjet këto kohë, të heshtin dhe të lejojnë partitë të kandidojnë. Njerëzit duhet të na zgjedhin neve, duhet të zgjedhin mes partive, nuk do zgjedhin anëtarët e KQZ-së...". (A.N.)
Add new comment