Kosovapress: Qytetarët e Tiranës ndjekin me vëmendje procesin zgjedhor në Kosovë

Postuar në 08 Qershor, 2014 09:07

Zgjedhjet e parakohshme që po zhvillohen në Kosovë po ndiqen me vëmendje edhe nga qytetarët shqiptarë në Tiranë e kudo në rrethe. Korrespondenti i “Kosovapress” në Tiranë ka intervistuar disa prej qytetarëve mbi kandidatin potencial që mund t’i fitojë këto zgjedhje. "Shumica e tyre mendojnë se numrin më të madh të votave në këto zgjedhje do ta marrë sërish Hashim Thaçi" shkruhet në artikullin e agjencisë.

"Urime dhe suksese. Unë kam qejf të fitojë ai që është tani Thaçi. Kam respekt, konsideratë, e vlerësoj për pozitiv," thotë një qytetar në Tiranë. "Ne i kemi ndjekur zgjedhjet, iu urojmë suksese, dhe ka mundësi Thaçi ta fitojë. Me sa kemi parë dhe dëgjuar ka punuar mirë, ka krijuar një përkrahje, dhe mbështetje, si dhe ka investuar. Prapë ka objektiva shumë konkrete për të ardhmen e Kosovës dhe them që ai do ta fitojë. Për kandidatët e tjerë them se edhe Lidhja Demokratike, ka mundësi por them që Thaçi do ta fitojë," thotë një tjetër qytetar. "Besoj se Hashim Thaçi do ta marrë edhe mandatin e tretë. Programet të gjitha janë të mira, sociale janë, por varen nga ata, sa rrugëzgjidhje do iu japin problemeve, Kosova ka ecur në rrugën e përparimit, pavarësisht problemeve të tjera, por besoj se Thaçi do fitoj," thotë qytetari nga Tirana.

Megjithatë edhe kandidatët e tjerë si Ramush Haradinaj, Albin Kurti etj. për shqiptarët kanë vlera dhe kontribute në formimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës."Për mendimin tim me aq sa jam i informuar për politikën në Kosovë, besoj se Hashim Thaçi do jetë përsëri kryeministër i Kosovës. Kandidatët e tjerë, besoj se Ramush Haradinaj, besoj se edhe ai do të zë një pjesë të rëndësishme të Parlamentit," thotë një student nga Tirana. "Besoj se Hashim Thaçi do fitoj, kështu them unë, për më shumë nuk e di. Edhe kandidatët e tjerë kanë qenë luftëtarë të Kosovës, dhe kanë gjithë ato vlera," thotë një tjetër qytetar për “KosovaPress”. Por ka edhe nga ata qytetarë që janë plotësisht indiferentë ndaj zhvillimeve politike si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, madje nuk duan t'ia dinë fare se kush do fitojë e kush do dalë i humbur nga këto zgjedhje. "Nuk i kam ndjekur fare zgjedhjet, nuk kam pasur kohë, nuk më kanë interesuar politikanët as këta të këtej e as andej në Kosovë, të gjithë janë negativë," thotë një qytetare nga Tirana. "Të them të drejtën nuk ia kam idenë fare, se di fare as kush po kandidon," shprehet një vajzë e re.

http://www.kosovapress.com/sq/rajoni/qytetaret-e-tiranes-ndjekin-me-vemendje-procesin-zgjedhor-ne-kosove-19144/

n.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.