Kosova në “terr” për shkaqet dhe autorët e ekzekutimit të kandidatit të PDK. Hidhet ideja e ekspertëve nga jashtë

Lajmi për vrasjen e kandidatit për deputet të Partisë Demokratike të Kosovës, Elvis Pista ka mbërthyer Kosovën në zi por edhe në diskutime publike, deklarata e mesazhe ngushëllimi. Klasa politike kosovare ka lënë mënjanë debatin politik për krijimin e qeverisë, duke u bashkuar në mesazhe ngushëlluese për tragjedinë e ndodhur. Por përtej mesazheve nuk kanë munguar as deklarimet publike, ku për hetimin e ngjarjes, është hedhur ideja e marrjes së ekspertëve të jashtëm. Kjo ide është artikuluar nga Burim Ramadani i AAK-së ndërsa ka gjetur mbështetjen publike edhe të Berat Buzhalës.
Nga ana tjetër, ende nuk ka asnjë të dhënë rreth autorit apo autorëve të ngjarjes nga ana e Policisë së Kosovës. Kjo e fundit, referuar medias në Kosovë, ka njoftuar se ofron 10 mijë euro për atë që jep informacion që shpie në zbardhjen e ngjarjes. Askush nuk di të japë një arsye se pse u ekzekutua kandidati karizmatik. Kandidati për deputet i PDK-së, Elvis Pista u ekzekutua në orët e para të mëngjesit të sotëm në prani të familjarëve të tij në ambientet e një restoranti në Rahovec, ku kishte festuar ditëlindjen e bashkëshortes. Pista mund të cilësohet si një prej kandidatëve më të famshëm në zgjedhjet e një jave më parë në Kosovë. Modeli i tij i veçantë i flokëve e ktheu atë në një fenomen të rrjeteve sociale, gjë të cilën ai e mori me sportivitet duke e kthyer në favor të tij.
n.k
Add new comment