Kontroll faktesh: Të vërteta dhe gënjeshtra të Obamës

Gazeta Washington Post ka një rubrikë, ku kontrolluesit e saj të fakteve analizojnë çdo ditë vërtetësinë e deklaratave të politikanëve të ndryshëm. Në rubrikën e djeshme ata analizonin disa deklarata që Obama bëri gjatë fjalimit të tij në konventën demokrate (http://www.washingtonpost.com/blogs/ezra-klein/wp/2012/09/07... ). Po veçojmë dy këtu, meqë kanë ngjashmëri të përafërt me deklaratat e PS-së tonë për taksat.
1 – Obama: “Unë i kam ulur taksat për ata që kanë patur më nevojë t’u uleshin – për familje të shtresës së mesme dhe biznese të vogla.”
Dhe kontrolluesit e fakteve të Post-it arrijnë në përfundimin se Obama ka ulur taksat për 95% të amerikanëve, si dhe ka ndihmuar bizneset e vogla me uljen e taksave për to, në rastin kur kanë shtuar numrin e punonjësve.
2 – Obama: “Unë dua ta reformoj Kodin e Taksave në mënyrë të tillë që të jetë sa më i thjeshtë e i drejtë dhe që t’i bëjë familjet më të pasura të paguajnë taksa më të larta për të ardhurat mbi 250 mijë dollarë në vit – me të njëjtën përqindje që kishin kur Bill Klintoni ishte president.”
Dhe kontrolluesit e fakteve të Post-it arrijnë në përfundimin se Obama ka “mashtruar” në këtë deklaratë të tij. Sipas tyre plani i propozuar nga Obama vërtet parashikon të njëjtën përqindje takse me të kohës së Klintonit për të ardhurat mbi 250 mijë dollarë në vit, por kur merren parasysh ndryshime të tjera në Kodin e Taksave, familjet e pasura rezultojnë me një barrë fiskale më të lartë se në kohën e Klintonit.
E.Zaloshnja
Add new comment