Konfindustria kundër angazhimit të shtuar të FMN-së: Nuk do kemi asnjë përfitim, përkundrazi do na tremben investitorët

Përmes një njoftimi për mediat, Konfindustria i ka kërkuar koalicionit fitues të zgjedhjeve të 23 qershorit dhe qeverisë së ardhshme, të mos e ndryshojë statusin e tanishëm këshillimor të pranisë së Fondit Monetar Ndërkombëtar, megjithë sugjerimin e Ksenia Lvovskit (foto), shefja e misionit të FMN në Tiranë që po mbaron mandatin. Arsyet, sipas Konfindustrias, janë se ekonomia e vendit ka ecur mirë megjithë krizën globale, dhe aq më shumë që besimi i investitorëve financiarë ndërkombëtarë në letrat me vlerë të Qeverisë është në kah të fortë rritës. Nga ana tjetër Konfindustria vlerëson se ndryshimi drejt forcimit të rolit të tashëm këshillimor të FMN-së në raport me qeverinë shqiptare do të ishte jo vetëm pa asnjë përfitim të prekshëm, por mbi të gjitha do të prodhonte pasoja tepër të dëmshme në planin afatgjatë, sepse do tkurrte investimet e huaja. Mazhoranca e re ka deklaruar që gjatë fushatës elektorale, se do ta rishikonte marrëdhënien me FMN-në, dhe se nuk kishte besim tek shifrat zyrtare të qeverisë Berisha mbi performancën ekonomiko-financiare të vendit. Madje, për këtë arsye kryeministri i ardhshëm Rama ka kërkuar edhe një audit të jashtëm për gjendjen reale financiare, mbi bazën e të cilit mesa duket do të vendoset edhe marrëdhënia e re me FMN-në.
Add new comment