Konferenca e Berlinit, interesi strategjik gjerman dhe i BE-së ndaj Ballkanit që po “mbahet” në Europë

Benjamin Pargan shkruan në një koment për “Deutsche Welle” se konferenca e Berlinit, që mblodhi bashkë drejtuesit e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka realizuar disa synime: së pari është synimi për stabilitet dhe kjo sigurohet më mirë duke I dhënë një tjetër impuls perspektivës europiane. “Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë një perspektivë të qartë evropiane dhe me plan të saktë kohor. Kjo nuk duhet të degradojë në një perspektivë fiktive, e cila të serviret rregullisht me gjysmë zëri si një gjest simbolik. Pavarësisht veljes prej zgjerimit që ndihet kudo në popullsinë gjermane, qeveria gjermane duhet ta mbështesë në mënyrë aktive perspektivën e anëtarësimit të këtyre vendeve në BE”, shkruan Pargan. Me këtë rast ai ka bërë komente edhe mbi interesin gjerman ndaj këtij rajoni, interes i cili është strategjik. Së dyti është interesi ekonomik që lidhet ngushtë, madje kushtëzon të parin. “Kjo nuk është lëmoshë për vendet e varfëra në juglindje të këtij kontinenti. Jo, afrimi me BE është në interesin e Gjermanisë. Politikisht, strategjikisht, në kuptimin e sigurisë dhe atij ekonomik…nuk duhet të nënvleftësohet në asnjë mënyrë rëndësia strategjike e afrimit të këtij rajoni në BE. Në sfondin e zhvillimeve dramatike në Ukrainë, pavendosmëria e Berlinit sa i përket antarësimit të mundshëm të këtyre vendeve bëhet edhe më e pakuptueshme. Ky qëndrim me gjysmë zemre ka qenë kundërproduktiv dhe për këtë arsye mbështetja e deklaruar tani qartë prej kancelares është në fakt një shpresë e re për të gjithë rajonin. Disa vende të Ballkanit Perëndimor kanë kërkuar investime kohët e fundit edhe në vende të tjera të botës. Dhe i kanë marrë këto investime. Nga Rusia, Kina apo dhe nga Turqia e vendet arabe. Serbia është shembulli më i mirë i të tilla zhvillimeve, por të ngjashme janë zhvillimet edhe në Bosnje-Hercegovinë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Kjo nuk duhet t'u merret për keq këtyre vendeve, sepse gjendja në tregjet e tyre të punës punës është aq katastrofale, sa çdo investim pranohet me mirënjohje dhe pa asnjë mëdyshje. Gjithashtu partnerët e rinj nga ana e tyre nuk shtrojnë pyetje të lidhur me demokracinë apo lirinë e shtypit, që i vënë këto vende në siklet”, shton Pargan duke nënvizuar kështu se një rirorientim ekonomik i Ballkanit do të ndikonte edhe në ndryshimin e mjedisit gjeopolitik në këtë anë të Europës.
http://www.dw.de/koment-shpresa-t%C3%AB-reja-p%C3%ABr-ballkanin-n%C3%AB-...
s.z

Add new comment