Konferencë shkencore për vizitën e Papës: “Kisha Katolike dhe Shqiptarët presin Atin e Shenjtë”

Një seri veprimtarish po zhvillohen në Shqipëri pak ditë para se Tiranën ta vizitojë papa Francesku, një vizitë që po pritet me mjaft interesim nga qytetarët dhe besimtarët e shumtë. Papa Francesku vjen të dielën në Shqipëri për një vizitë disaorëshe, ndërkohë vazhdojnë përgatitjet për një mikpritje e tij. Në këtë kuadër të hënën Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë zhvilloi në Muzeun Historik Kombëtar një konferencë shkencore me titull “Kisha Katolike dhe Shqiptarët presin Atin e Shenjtë”. Konferenca solli një histori të plotë të kishës katolike shqiptare në shekuj, katolikët shqiptarë në kohën e Venedikut, në shekujt 15 e 16, qysh nga lidhjet e gjuhës shqipe me latinishten, si provë e krishterimit ndër shqiptarët. Studiuesit sollën dëshmi të shumta të persekutimit të klerit katolik, marrëdhëniet e Vatikanit me shtetin shqiptar deri në pushtimin fashist 1939. Arkipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita, trajtoi rilindjen e kishës katolike pas rënies së komunizmit. Ai tha se kisha e vërtetë është ajo që u rri pranë njerëzve të varfër. Imzot Rrok Miridta, tha se midis korrupsionit dhe jetës së ndershme njerëzit duhet të zgjedhin të dytën, me besim dhe siguri. Ndërsa Ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro, foli mbi rëndësinë e vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri, për të ardhmen e vendit, duke marrë forcë nga historia shqiptare.
L.V
Add new comment