Komisioni i Ekonomisë diskuton nesër heqjen e kufizimit të shtetësisë për Guvernatorin e ardhshëm. 9 anëtarë janë firmëtarë të amendamentit

Postuar në 01 Dhjetor, 2014 12:22

Edhe pse është paralajmëruar nga Kreu i Shtetit se kandidatura për postin e Guvernatorit do të dekretohet këtë javë, Komisioni i Ekonomisë do të shqyrtojë ndryshimet në ligjin për Bankën e Shqipërisë, duke hequr kufizimin e shtetësisë për anëtarët e Këshillit Mbikqyrës dhe për Guvernatorin. Amendamenti i firmosur nga 29 deputetë socialistë është parashikuar të shqyrtohet në mbledhjen e nesërme.

Në listën e propozuesve bie në sy mungesa e deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjithsesi, kjo pritet të mos përbëjë pengesë (të paktën në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë) për faktin se në listën e 29 propozuesve, 9 deputetë janë anëtarë të këtij komisioni. Në listën e firmëtarëve janë anëtarët Erion Braçe, Andrea Marto, Ervin Bushati, Blerina Gjylameti, Evis Kushi, Pjerin Ndreu, Ervin Koçi, Ilir Xhakolli dhe Arben Çuko. Mbetet për t’u parë nëse kjo ndërhyrje e pjesshme në ligjin për Bankën e Shqipërisë, që ndikon direkt në procesin që po zhvillohet për plotësimin e vakancave, do të arrijë të marrë miratimin në seancën plenare të kësaj jave.

Heqja e përcaktimit të shtetësisë shqiptare nuk nënkupton se Guvernatori i ardhshëm do të jetë me patjetër i huaj, për faktin se në Presidencë, Kuvend e Kryeministri, ka një serë të interesuarish që janë shqiptarë me karrierë të spikatur në sistemin financiar ndërkombëtar por që kanë nënshtetësi të huaj.

n.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.