Komisioni Europian, plane për të shtuar kuotat e riciklimit: Mjaft me shfarosjen e burimeve të planetit

Më pak sjellje të orientuar nga konsumi, dhe më shumë drejt riciklimit. Komisioni Europian ka vendosur rregullore të reja për mbeturinat duke kërkuar rritjen e kuotave të ricklimit për të mundësuar kalimin në një ekonomi qarkulluese, një ekonomi që të bazohet tek ricklimi, shkruan Dojçe Vele. Sipas KE deri në vitin 2030 europianët do të duhet të riciklojnë rreth 70% të mbeturinave rajonale dhe 80% të mbeturinave të paketimit. Nga viti 2025 do të ndalohet djegia e mbeturinave të ricklueshme. Komisioni ka vendosur objektiva të rinj edhe përsa i përket reduktimit të mbeturinave në dete dhe hedhjes së ushqimeve. Eurokomisioneri për çështjet e mjedisit, Jann Potocnik, i vlerëson planet e BE-së: “Në një kohë që mbrohet mjedisi, nxitet edhe zhvillimi ekonomik me rritje të re ekonomike dhe vende të reja pune”. Sipas tij, “po qe se ne nuk ndryshojmë në rrënjë sistemin tonë ekonomik, sjelljen tonë të orientuar nga konsumi, mënyrën tonë të jetesës, atëherë në plan afatgjatë nuk do t'ia dalim dot të shpëtojmë mjedisin tonë dhe të jetojmë brenda kufijve të këtij planeti”. Ndërkaq, për këto plane të Komisionit duhet të japë miratimin Këshilli Europian dhe parlamenti i BE-së.
a.k
Add new comment