Koha Ditore: Thaçi President e Haradinaj kryeministër? Ndoshta; pas zgjedhjeve të ardhshme

Koha Ditore, duke iu referuar një burimi të vet pa emër (“është burim i gazetës pranë kryeministrit Thaçi”, thuhet në të), flet për një koalicion të PD-së së Thaçit me AAK-në e Haradinajt pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ky koalicion mund të ndodhë dhe në vjeshtën që po vjen, thuhet në artikullin e gazetës, por gjasat më të mëdha janë për një koalicion pas zgjedhor.
Një koalicion i tillë nuk duket dhe aq i kollajtë, por një marrëveshje mes dy partive, më saktë mes dy liderëve, besohet se do t’i bëjë të lehta gjërat. Është rënë dakord, gjithnjë sipas Kohës Ditore, që Thaçi t’i lërë mënjanë pretendimet për drejtimin e qeverisë edhe në një mandat tjetër, e të zgjidhet President i Republikës. Në këto rrethana, kryeministri do të dalë nga radhët e AAK-së. Flitet se do jetë ‘një farë’ Ramush Haradinaj.
Ndonëse ambicja e Hashim Thaçit për të marrë funksionin e përgjegjësinë e Presidentit të Republikës është e njohur, lajmi në fjalë (që ka dalë nga burime të paspecifikuara) mbetet prapëseprapë në limitet e një spekullimi gazetaresk.
E.G.
Add new comment