Koha Ditore: SHBA-të do rishqyrtojnë njohjen e Kosovës. Por … është shaka me rastin e 1 prillit

Postuar në 01 Prill, 2014 09:19

‘Koha Ditore’ e Prishtinës ka gjetur një mënyrë “të frikshme” për të pritur a shoqëruar ditën e një prillit, ditën e gënjeshtrave. Në faqet online të saj gjendet, si headline, një lajm me titull bombastik: SHBA-të shqyrtojnë heqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Dhe pas kësaj, japin një deklaratë të sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, që ky e paska dhënë në orët e vona të natës së shkuar. Ja pjesa nga gjoja deklarata:

“Demokratëve amerikanë, kur janë në krye të shtetit, gjithmonë u takon barra historike dhe përgjegjësia e marrjes së vendimeve të mëdha. Kështu, në vitin 1999, me Bill Clintonin në ballë, ne morëm vendimin historik që bashkë me NATO-n të sulmojmë Serbinë, ushtrinë e saj jo vetëm në Kosovë, për të shpëtuar popullatën shqiptare që kishte marrë malet dhe vendet tjera fqinje përreth në ikje nga terrori që shtronte dhe ushtronte ushtria dhe polica e Serbisë. Pesëmbëdhjetë vjet pas kësaj ndërhyrjeje, ne amerikanët, Shtëpia e Bardhë, State Departementi, Pentagoni, Senati e Kongresi, jemi duke shqyrtuar një qasje të re ndaj kësaj të shkuare që megjithatë nuk mund të kthehet aq lehtë prapa, sado që ndonjë korrektesë, ndoshta dhe e pakëndshme, mund të bëhet ”.

Pyetjes së një gazetareje ruse, se “a do të thotë kjo ‘qasje e re’ një rishqyrtim amerikan ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës”. Kerry fantomatik iu përgjigj:

“SHBA-të gjithmonë reflektojnë, edhe para veprimit e edhe pas tij. Në rastin e Kosovës ne jemi duke rishqyrtuar pozicionin tonë diplomatik dhe ka disa ditë që Ambasada jonë në Prishtinë ka pushuar veprimtarinë e gjerë, ka reduktuar shumë numrin e punëtorëve dhe po pret udhëzimet tona të mëtejshme çfarë të bëhet. Kjo nuk do të thotë se SHBA-të kanë tërhequr njohjen, por kjo do të thotë se janë në shqyrtim e sipër të tërheqjes së mundshme të njohjes së pavarësisë së Kosovës që në të parë duket i paprecedent në historinë e diplomacisë amerikane”.

Vetëm në fund të ‘raportimit’ thuhet se lajmi ka lidhje me 1 prillin.

 

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.