Kodi Rrugor sjell debate të reja në Komisionin Kuvendor të Sigurisë

Komisioni Kuvendor i Sigurisë u përfshi në debatin mbi draftin e propozuar nga Qeveria mbi Kodin Rrugor. Përfaqësuesi i Ministrisë së Transporteve ka deklaruar se do të 10 fishohen gjobat për ata që bëjnë ndërhyrje të pautorizuar në rrugët kombëtare urbane dhe interurbane. Deputeti Spartak Braho ka kërkuar që të paraqitet një ligj i ri dhe të mos bëhen arnime në ligjin ekzistues. Anëtarët e Komisionit të Sigurisë janë shprehur se janë të paqartë në lidhje me ndryshimet që propozohen, ndërsa pyetjet që i janë drejtuar përfaqësuesve të Ministrive, janë shoqëruar me replika dhe debate mes vetë ligjvënësve Deputeti Sterkaj ka kërkuar sqarime lidhur me masat që parashikohen në projektligjin për ndryshimet në Kodin Rrugor, duke theksuar se përfaqëson një komunitet dhe kur deputetët nuk janë të qartë për atë çka propozohet, atëherë si mund të jetë të qartë qytetarët. Ligjvënësi i PDIU, Aqif Rakipi ka pyetur se kush paguan nëse një automjet prishet për shkak të defekteve në rrugë, apo më keq akoma kur ndodhin aksidente me pasoja të rënda, deri në humbje jete, për shkak të rrugëve. Për deputetin Arben Çuko 10 fishimi i gjobave është një kosto drejtpërdrejtë për qytetarët dhe kjo mund të sjellë reagime. Debatet në Komisionin Kuvendor të Sigurisë erdhën pas kundërshtimeve që anëtarët e Komisionit të Ligjeve i bënë ndryshimeve të draftit mbi Kodin Rrugor.
L.V
Add new comment