KLSH: Banka e Shqipërisë shkelje edhe me prokurimet

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vënë në qendër të akuzave Bankën e Shqipërisë duke bërë të ditur se shpenzimet e fryra për paga dhe dieta nuk janë të vetmet zëra ku janë konstatuar abuzime. Top Channel ka zbardhur disa detaje të tjera nga raporti i KLSH mbi menaxhimin financiar të bankës dhe kësaj here fjala është për prokurimet. Sipas raportit, prokurimet janë kryer në kundërshtim jo vetëm me ligjin, por edhe vetë rregulloren e Bankës. Top Channel raporton se “në shumë prokurime, një pjesë e dokumentave të tenderit, përfshirë procesverbalet e komisionit të prokurimit nuk arkivohen”. Madje, sipas KLSH, edhe gjatë nënshkrimit të kontratave me fituesit atyre nuk u bashkangjiten dokumentat shoqëruese të detyrueshme me ligj. Raporti konstaton se edhe procedura përmes të cilës banka përcakton fondet limit për tenderat e saj është e dyshimtë dhe nuk respekton çmimin më të ulët.
Mandej, raporti thotë se Banka ka shkatuar dëme edhe me rikonstruksionin e godinës së re dhe riparimin e hotel “Dajtit”, ku edhe pse janë shkelur të gjitha afatet ligjore nuk është dhënë asnjë arsye zyrtare për vonesat dhe vazhdon të paguajë qira tek privatët. Në këto kushte, kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, rekomandon që Banka të përllogarisë koston e qirave, që llogariten në rreth 1 milionë dollarë në vit dhe t’ia ngarkojë atë kompanive private që kanë shkelur afatet e rikonstruksionit.
Re.Pu
Add new comment