Klinton vjen të diktojë temat e dialogut me Beogradin? Jo, - thotë ministri i Jashtëm, por sakaq ‘korrigjon’ veten

“Mediat kanë raportuar se Sekretarja Clinton do t’u tregojë liderëve të Kosovës dhe Serbisë së çka do bisedohet në dialogun e ardhshëm...” – thotë Express në një intervistë me ministrin e jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj. Pyetja duket se e ka kapur pak gafil ministrin sepse brenda përgjigjes ai thotë edhe që “relacionet mes dy shteteve” janë çështje që “u takojnë Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, por vetëm një fjali më tej shton se “këto janë mesazhe që u takojnë miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë...”
Përgjigjet Hoxhaj: “Unë nuk kam një informatë të tillë në formën se si është plasuar në media. Mirëpo, mendoj që për të gjitha çështjet që janë të karakterit bilateral dhe ndërshtetëror dhe për të gjitha çështjet që janë të hapura mes Kosovës dhe Serbisë, mbështetja amerikane është vendimtare. Kryeministri Thaçi do të ndajë vizionin, qëndrimin dhe përkushtimin tonë sa i përket këtyre temave të hapura dhe ne si Kosovë jemi të hapur nga partnerët tanë të presim sugjerime për ndonjë temë specifike. Por, marrë në tërësi mendoj se normalizimi i relacioneve mes dy shteteve u takon Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Faza përmbylljes e një normalizimi të plotë do të jetë edhe njohja e ndërsjellët mes dy shteteve. Mirëpo, këto janë mesazhe që u takojnë miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë...”. A.N.
Add new comment