Klinton, e prerë në çështjen e kufijve. Në takimin me partitë mungon Vetëvendosja e Kurtit

Sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton dhe shefja e diplomacisë evropiane, Kathrin Ashton, thanë në Prishtinë se Bashkimi Evropian dhe SHBA-së, duan përmirësim të raporteve Kosovë-Serbi. Klinton ishte e prerë në çështjen e kufijve:
“Dua të jem e qartë jo vetëm këtu në Prishtinë, por për secilin që na shikon dhe dëgjon në rajon. SHBA janë të prera plotësisht në qëndrimin e tyre.. Nuk do të ketë biseda për ndryshime teritoriale apo rihapje të çështjes së statusit të pavarur të Kosovës. Këto çështje nuk do të diskutohen. Kufijtë e Kosovës sovrane dhe të pavarur janë të qartë dhe të përcaktuar përgjithmonë. Mesazhi im të martën në Beograd është i njëjti më atë që do ta them sot këtu. Ne besojmë se dialogu që kryeministri Thaçi ka filluar me zonjën Ashton dhe me kryeministrin e Serbisë, është esencial”.
Baronesha Ashton dhe Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton janë takuar gjatë ditës edhe me liderët e partive të tjera, ndërsa të vetmit që kanë munguar ishin përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje. Nënkryetari i partisë opozitare, Shpend Ahmeti, i ka thënë KTV-së se nuk kanë qenë të njoftuar për takimin, por edhe arsyeja e mungesës së tyre është qëndrimi i tyre i ditur kundër dialogut të pakushtëzuar me Serbinë. A.N.
Add new comment