KLD ndëshkon gjyqtarin që liroi nga burgu Ilir Xhaken

KLD ka marrë vendim të pezullojë nga puna gjyqtarin që liroi nga burgu Ilir Xhaken. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka marrë masë ndëshkimore, sipas ORA News, “pezullim nga puna” ndaj gjyqtarit të Durrësit, Neritan Tabaku, vendim që i hap rrugë Prokurorisë për procedim penal ndaj gjyqtarit Neritan Tabaku. Vetë Ilir Xhakja gjendet pas hekurave nën akuzën për vrasjen e shefit të policisë së Shijakut, Adem Tahiri, në Sukth të Durrësit. Ky ishte një rast i pastër kur shteti ”vret” shtetin, pasi Xhakja në një shtet ku drejtësia funksionon normalisht do të ishte pas hekurave, dhe nuk do të kishte mundësi të shtinte mi komisarin ose këdo tjetër.
Vendimi për pezullim nga puna për gjyqtarin Tabaku erdhi pas inspektimit të dosjes së lirimit nga burgu të Xhakes nga inspektorët e KLD, dosje në të cilën ky institucion hasi shkelje të ligjit, pasi gjyqtari nuk zbardhi vendimin.
“Këshilli unanimisht miratoi këtë kërkesë, duke i dhënë rrugë procedimit penal ndaj gjyqtarit të sipërcituar, për veprën penale të `Shpërdorimit të detyrës`, e parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal, si dhe duke pezulluar nga detyra gjyqtarin në fjalë (...) Në këtë kuadër, Këshilli trajtoi edhe çështje lidhur me veprime apo mosveprime nga ana e gjyqtarëve, në kundërshtim me ligjin, duke theksuar domosdoshmërinë dhe angazhimin maksimal për të evidentuar në kohë, nëpërmjet inspektimeve të vazhdueshme, të gjitha ato raste që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, si dhe një reagim të menjëhershëm institucional” thuhet në njoftimin e KLD-së.
k.c.
Add new comment