Kina dëbon gazetarin e New York Times-it

Pekini nuk i zgjati vizën një gazetari të New York Times-it, duke e detyruar atë të largohet nga Kina. Pekini duket se po hakmerret ndaj mediave të huaja për shkak të mbulimit kritik të aktivitetit të Partisë Komuniste. Gazeta New York Times thotë se korrespondenti Chris Buckley "u detyrua të largohet nga Kina" pasi autoritetet nuk pranuan t’i jepnin atij një vizë për 2013 deri në fund të vitit, pavarësisht kërkesave të shumta nga gazeta.
Gazeta njofton gjithashtu se shefi i zyrës së saj në Pekin, Philip P. Pan, i cili aplikoi për një vizë në muajin mars, ende nuk është akredituar. Sipas gazetës procesi i vizave dhe i akreditimit zakonisht kërkojnë një javë ose vetëm dy muaj. Redaktorja ekzekutive e gazetës New York Times Jill Abramson tha në një deklaratë se ajo shpreson që Pekini do t'i miratojë vizat sa më shpejt në mënyrë që gazetarët të mund të vazhdojnë punën e tyre.
Në muajin tetor Pekini bllokoi faqet e internetit të gazetës në gjuhën kineze dhe anglisht, pasi gazeta botoi një artikull të gjatë për dyshimet mbi pasurinë e madhe të Kryeministrit Wen Jiabao. VOA
Add new comment