Kina, aktor zëvendësues i BE-së? Pas Samitit të Beogradit, Pekini zyrtar ofron ndihmë edhe për Rusinë

Postuar në 24 Dhjetor, 2014 12:59

“Kina injoron BE-në, i ofron ndihmë Rusisë”- kështu titullohet një shkrim i botuar nga “Euobserver” me autor Andrew Rettman. Shkrimi merr shkak nga një deklaratë e ministrit të Jashtëm kinez, Wang Yi, dhënë për “China Daily”, përmes së cilës Pekini zyrtar ka bërë të ditur se është i gatshëm të ndihmojë Rusinë nëse do të kërkojë ndihmë. “Rusia ka kapacitetin dhe menccurinë për të kapërcyer këtë situatë të vështirë ekonomike. Nëse pala ruse do të ketë nevojë, ne do të sigurojmë ndihmën e nevojshme brenda kapaciteteve tona”, ka thënë Yi. Kjo është një ofertë që shkon përtej një ndihme në kontekstin e një koniunkture të vështirë, pasi deklaratën në fjalë e shoqëron konstatimi se “Rusia ka me qindra miliardë dollarë në një fond rezervë të huaj dhe është larg nga kolapsi”. Pra bëhet fjalë për vendosjen e një bashkëpunimi strategjik, ardhur në vështrim të parë në kushtet kur sanksionet e BE-së dhe tërheqja e investimeve kanë krijuar boshllëk. Edhe njëherë Kina preferon infrastrukturën; sipas Rettman bëhet fjalë kredi dhe investime që mund të jepen për projekte të një gazsjellësi të ri Rusi-Kinë, një port thellësie në Krime, por edhe hekurudha në Lindjen e Largët.
Nëse do të vendosim këtë “hartë” ndërlidhjeje krahas projekteve që u përfolën në Samitin e Beogradit, mund të marrim një ide sado të vagullt mbi vizionin e Kinës për të investuar, por edhe për të lehtësuar importin, duke e bërë më të prekshëm këtë vend edhe si treg. E gjitha kjo merr vlerë politike dhe hyn si llogari serioze në rivalitetet që sot gjallojnë në atë që po quhet botë multipolare. Vetë shkrimi dhe titulli i vënë në “Euobserver” dëshmon për shqetësimin në rritje ndaj afrimit të këtij aktori të ri, që ofron para atëherë kur të tjerët rezervohen. Kjo ndodhi, si shembull shumë më i vogël, por domethënës, edhe me projektin shqiptar të Rrugës së Arbrit, të cilën do ta financojnë kinezët. Po kështu porti i Pireut në Greqi, hekurudha e trenave të shpejtë Budpest-Beograd etj..
Rikthimi i Kinës në Shqipëri
Po të mbetemi në Shqipëri, oferta kineze mund të thuhet se ka provokuar disa zhvillime. Kështu, menjëherë sapo u mor vesh lajmi i financimit të rr. Arbrit, aleati i PS-së në qeveri, kreu i LSI-së, Ilir Meta, nxitoi të bënte vizitë. E dytë brenda pak kohësh në Kosvë, ku edhe hodhi propozimi alternativ për një hekurdhë Durrës-Prishtinë. “Do të ulë kostot e importit nga Kosova”, tha Meta, edhe pse rruga Durrës-Kukës-Prishtinë realizon lidhje shumë të shpejtë. Ndoshta ka rëndësi të sillet këtu në vëmendje fakti se rr. Arbrit konsiderohet shpesh edhe si alternativë e Korridorit 8, i mbajtur prej vitesh në një lloj pezulltie të pakuptueshme. Zhvillimi i dytë është miratimi i amendimeve në ligjin për huamarrjen, që i lejon qeverisë të marrë hua, pishtë shifrës së borxhit, pa marrë miratimin e Parlamentit. Është në hap që u kundërshtua edhe nga deputetë të shumicës me arsyetimin se vetë Kushtetuta në nenin 156 sanksionon detyrimin sesi merret huaja. Kësaj i do shtuar edhe ndryshimi në ligjin për prokurimet publike sipas të cilit tenderi do të quhet i vlefshëm edhe me një ofertues. Pyetja që lind është se përse i duhen qeverisë këto lehtësi në veprim? Huamarrja dhe prokurimi ndërlidhen në aspektin se i japin dorë të lirë qeverisë të marrë dhe të japë shpejt dhe pa dhënë xhevap. Lëvizjet e kryeministrit me Kinën nuk kaluan pa u komentuar në Tiranë, ndaj edhe mund të hamendësohet se qeveria po luan për hua pikërisht aty ku edhe është më e “sikletshme”. Kina është një vend, por pse jo edhe Kuvajti. Agjencia Telegrafike Shqiptare njoftonte dje se ambasadori kuvajtian në Tiranë, i ka dorëzuar emirit një pullë poste të emetuaf nga Shqipëria me imazhin e tij, “ccka flet për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve”( http://www.ata.gov.al/lartmadheria-e-tij-pret-ambasadorin-e-...).
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.