Kinë, kujdes nga vetëflijimi!

Kina ka një problem imazhi që quhet Tibet. Rajoni jugor që kërkon prej vitesh pavarësinë nëpërmjet liderit shpirtëror Dalai Lama, ngelet një gjemb në këmbën e gjigantit aziatik. Deri tani rreth 80 tibetianë kanë vendosur të vetëdigjen në shenjë proteste kundër pushtimit kinez, dhe fotogramet e njerëzve në flakë projektojnë në mbarë botën një imazh negativ për një ndër shtetet më të fuqishme në botë.
Për të parandaluar këtë fenomen të etiketuar si “përpjekje për të destabilizuar dhe ndarë Kombin”, autoritetet zyrtare kanë marrë disa masa të përshkruara imtësisht në një qarkore.
Tanimë dënimet do jenë kolektive. Familjarët e të vetëflijuarit nuk duhet të përfitojnë më asnjë ndihmë, asistencë apo benefit ekonomik nga ana shtetërore sepse janë fajtorë për mosparandalimin e një akti që “prish harmoninë sociale”. Zonat ku kanë ndodhur më dendur këto vetëvrasje nuk do përfitojnë asnjë investim qeveritar për tre vjet dhe zyrtarët lokalë do hetohen nga Komiteti i disiplinës së Partisë.
Por nuk mbaron me kaq. Kushdo që do vizitojë familjet e të vdekurve për vetëflijim, ose do u japë atyre oferta do duhet të riedukohet, duke i shpjeguar atij se ti qëndrosh pranë gjatë mortit familjeve “në faj”, mund të sjellë pasoja të rënda.
“Kush proteston duke i dhënë flakën vetes nuk duhet të trajtohet si hero, por si destabilizues”, përfundon qarkorja. Kina synon të bëhet fuqia ekonomiko-politike numër një në botë: një udhëheqje e tillë të fut drithmat…(E.X.)
Comments
Kina DUHET NDESHKUAR
<p>Kina DUHET NDESHKUAR ndrekombetarisht per terrorizmin e sterzgjatur ne Tibet! Tibeti NUK ka kerkuar asnjehere pavaresine nga Kina edhe pse tibetanet nuk jane kineze dhe as kane qene ndonjehere kineze. Tibeti ka kerkuar gjithmone nje autonomi, qofte edhe e nivelit te ngushtuar lokal. Ajo eshte toka e manastireve, e ritualeve, e meditimit, e filozofise budiste, eshte turp shume i madh per Kinen, te masakroje ne ate menyre popullin paqesor tibetan!</p>
Add new comment