Kauza e grevistëve është popullarizuar, por zgjidhja e saj duket ende larg

U mendua fillimisht se greva e ish të përndjekurve do të kalonte pa vëmendje. Ditët e para të kësaj greve, në fakt, kaluan në heshtje. Ishte shtypi i pari që nuk pati ndonjë fokusim kushedi se çfarë tek ta. Duke përjashtuar ndonjë gazetë me ndikim periferik, të tjerat ose nuk raportonin fare mbi këtë ngjarje, ose raportonin thatë e shkurt, sa për të bërë një ‘adet’.
Por shumë shpejt erdhi dita që reflektorët të drejtoheshin tek greva që po zhvillohet mbi rrugën ‘Komuna e Parisit’. Në këtë mes ndikoi fakti që greva hyri në javën e dytë, e që ajo filloi “të prodhonte” lajme me grevistë të sëmurë, por mbi të gjitha ishte vizita e ambasadorit amerikan që e valorizoi atë grevë, e që i bëri gazetarët “të kuptonin rëndësinë e asaj që po ndodhte”. Më pas ishin socialistët që shkuan të takonin grevistët. Pas takimit me Arvizunë, takimi me Ramën e Majkon nuk mund të përdoret nga Berisha për t’i etiketuar grevistët si mish për top të komunistëve. Dhe në fund erdhi takimi me ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi.
Në këtë mënyrë është arritur një nga qëllimet e grevistëve: popullarizimi i kauzës së tyre. Por qëllimi i vërtetë është zgjidhja e kësaj kauze, të cilën Berisha nuk duket se është i gatshëm ta negocjojë.
M.N.
Add new comment