Karta e Adriatikut, “samit” me incidente në Tiranë, Serbia braktis takimin

Samiti i vendeve të Kartës së Adriatikut A5, që përbën një marrëveshje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Ballkanit si një “paradhomë” politike për anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut Verior-NATO, u mbajt sot në Tiranë me incidente. Në këtë Kartë, Kosova dhe Serbia janë të pranishme si vëzhguese, por ambasadori serb ka braktisur takimin në momentin që është folur për Kosovën.
Në një dalje para mediave, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati sqaroi se Kosova aplikuar për anëtarësim në Kartën e Adriatikut, me të drejta të plota, por pavarësisht se SHBA dhe vende të tjera e kanë mbështetur, vota kundër e Bosnje-Hercegovinës ka bërë që Kosova të vijojë të ketë rol vëzhgues.
Përsa i përket largimit të përfaqësuesit serb nga takimi, Bushati theksoi se ky është qëndrim i palës serbe dhe nuk mund të marrë përsipër ta shpjegojë. “Jam i mandatar për të artikuluar interesat e Shqipërisë, jo të Serbisë. Secili vend e di se si i sheh marrëdhëniet në raport me NATO-n dhe vendet e tjera. Ne si vend do të donim gjithëpërfshirje. Sa më shpejt ta ndajnë mendjen të gjitha vendet e rajonit se kjo është rruga e duhur dhe e vetme, aq më mirë do të jetë, pasi është e lidhur me sigurinë”, tha Ministri i Jashtëm.
a.k
Add new comment