Kandidatja për postin e Hillary Clinton-it, në vështirësi - shkruan WSJ

Përpjekja e ambasadores Susan Rice për ta ripërtërirë raportin e saj me republikanët e Senatit ka dështuar. Tre senatorë të Partisë Republikane të Shteteve të Bashkuara, dolën nga takimi me ambasadoren edhe më tepër kritikë për qëndrimet e saj lidhur me sulmin në Konsullatën Amerikane në Bengazi të Libisë, - shkruan në një artikull, e përditshmja Wall Street Journal.
Gazeta shkruan se ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Rice, që është kandidate për ta zëvendësuar sekretaren e shtetit Hillary Clinton, u takua të martën me senatorët në Kapitoll Hill. Por senatorja Ayotte dhe senatorët John McCain nga Arizona dhe Lindsey Graham nga Karolina Jugore, thanë se takimi në Kapitoll Hill, i ka lënë ata më të shqetësuar se kurrë lidhur me deklaratat publike që zonja Rice bëri lidhur me sulmet e 11 shtatorit në Bengazi të Libisë, ku ambasadori Christopher Stevens dhe tre amerikanë të tjerë u vranë. “E tëra që mund të them është se se shqetësimet që i kam janë më të mëdha sot se më parë”, - tha zoti Graham, pas takimit. Senatori John McCain tha se ishte i “trazuar” nga ajo që kishte dëgjuar.
E përditshmja shton se në deklarimet e saj pas takimit, zonja Rice ka pranuar se një pjesë e komenteve të saja lidhur me sulmin në disa intervista televizive, disa ditë më vonë, ishin jokorrekte, por tha se ato ishin të bazuara në evoluimin e informacioneve nga inteligjenca. Në këto intervista, zonja Rice tha se sulmi u rrit nga protesta lidhur me një video anti-islamike; zyrtarët më vonë kanë thënë se nuk ka pasur protesta në Bengazi atë ditë, - shkruan Wall Street Journal.
Kritikat e senatorëve republikanë ndaj zonjës Rice duket se ishin minimizuar, por takimi i së martës i ripërtëriu armiqësitë, - thotë WSJ duke shtuar se kjo mund t’i komplikoj shanset e saj për postin e sekretares amerikane të shtetit. Kandidat tjetër për sekretar amerikan të shtetit është senatori demokrat nga Masaçusetsi, John Kerry. Mund të ndodhë që presidenti Barack Obama deri në fund të kësaj jave ta shpallë zgjedhjen e tij për këtë post, - shkruan WSJ (A.N.)
Add new comment