Kanë frikë nga e ardhmja ata që i shërbejnë regjimit?

"Të gjithë ishin të bindur se regjimi i Tiranës nuk do të rrëzohej kurrë dhe, pikërisht për këtë, e adhuronin; por së brendshmi e ndienin atë frikën... I ndruheshin së ardhmes. Enigma e së ardhmes ka trembur çdo hajdut, çdo vrasës dhe çdo diktator dhe prandaj nuk kishte sesi të mos trembte edhe një spiun keqbërës, që raportonte bashkëvuajtësit e vet. Por aty, në atë kamp, kishte të burgosur që, ndonëse kishin njëfarë droje që të ma thoshin hapur në sy atë që mendonin, unë i kuptoja se e adhuronin Enver Hoxhën... Ishin shumë të pështirë.. Pata një rast që, njëri prej tyre, që dukej si liberal, por që unë e dija se ishte spiun, më pyeti se çfarë do bëhej me spiunët pasi të rrëzohej regjimi i Tiranës. E kuptova se e kishin dërguar dhe ia kishin dhënë atë pyetje. Piro Meçe e kishte emrin spiuni; ky kish kaluar një proces enigmë, si pjesë e grupit për të cilin thuhej se kishte dashur të vriste Enver Hoxhën. Nuk di se çfarë të them për këtë, por në burg ishte spiun dhe mua më doli madje edhe si dëshmitar në ridënimin tim... E pra ky më pyeti se çfarë do të bëhej me spiunët nëse rrëzohej regjimi dhe unë iu përgjigja: “Por, ja mor Piro, i thashë, në fakt këta spiunë në burg po vuajnë dhe janë dënuar si kundërshtarë të këtij regjimi. Për këtë do të zhdëmtohen, sigurisht. Por, për faktin që kanë qenë spiunë në burg dhe kanë denoncuar bashkëvuajtësit e tyre, do të dënohen sërish me burg për dëshmitë e rreme dhe për bashkëpunimin në ushtrimin e terrorit në një burg politik”. Po më dëgjonte me kokë të ulur dhe nuk ndenji më, por gjeti rastin dhe u largua nga unë menjëherë..."
Pjesa më sipër është marrë libri me kujtime i Spartak Ngjelës: "Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010" volumi i dytë i ë cilës u prezantua dje nga UET-Press. "Dobësia njerëzore, si rregull, të çon në ligësi dhe ligësia në urrejtje; në fakt, ligësia është e njëjtë pavarësisht nga ngjyrimet politike që merr, - konkludon Ngjela në fund të një kapitulli të gjatë ku përshkruan spiunët e regjimit brenda kampit të Ballshit ku ai është mbajtur i burgosur gjatë diktaturës. - A.N.
Foto: Nga ceremonia e promovimit të librit, dje në hotel Sheraton
Add new comment