Kajro: Shpërthen ‘epidemia’ e ngacmimeve të dhunshme seksuale në rrugë

Gjatë orëve të fundit, policia e Kajros ka arrestuar 32 djem të rinj të moshës 15-20 vjeç, dhe akuza mbi ta është e njëjtë e në dukje atipike për kontekstin egjyptian: ngacmojnë dhunshëm vajzat e reja që dalin në rrugë. Është fjala pra për një ngacmim të natyrës seksuale, që këta të rinj e bëjnë në grup në parqe, në kinema, deri dhe në sheshin Tahrir, alias sheshi i revolucionit. Kjo praktikë është shndërruar në një epidemi. E përditshmja italiane Il Corriere della Sera e lidhte këtë me një moment shpërthimi të pas periudhës (muajit) të Ramazanit, në harkun e të cilit këta të rinj i janë dorëzuar, në respekt të kanoneve kuranike, vetdisiplinës, durimit, privacioneve, përkatësisë ndaj komunitetit, dashurisë për Perëndinë, etj. Kemi të bëjmë me një si shpërblim ‘të merituar’ që këta të rinj i bëjnë mishit të tyre të ndëshkuar përgjatë një muaji? Kjo lihet të nënkuptohet nga Il Corriere della Sera, por duket se në këtë mes luan një rol – kjo nënvizohet nga e njëjta gazetë, gjithashtu – edhe seksualiteti i ndrydhur apo i shtypur, apo në përgjithësi, edukata e munguar seksuale.
Shoqëria civile e atjeshme (përveç zërave nga politika që po kërkon sanksione ligjore më të forta kundër krimeve me natyrë seksuale) ka zënë të reagojë në mënyrën e vet: kanë nxjerrë grupe vullnetarësh në vendet e preferuara nga bandat e të rinjve me synimin për t’i shkurajuar këto të fundit.
E.G.
Add new comment