A ka rënë fuqia blerëse e shqiptarëve në 2012-ën?

Postuar në 26 Maj, 2012 10:58

Për tremujorin e parë të vitit 2012, INSTAT-i ende nuk e ka publikuar indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë; pra, ne nuk e dimë sesi ka ndryshuar fuqia blerëse e shqiptarëve këtë vit. Por INSTAT-i ka publikuar raportin për ecurinë e tregtisë së jashtme deri në fund të prillit. Dhe ky raport mund të na japë një ide të tërthortë për ndryshimin e fuqisë blerëse të konsumatorëve shqiptarë.

Nga analiza statistikore disavjeçare e të dhënave të INSTAT-it për vlerën e importeve dhe volumit të tregtisë me pakicë, na rezulton se mes tyre ka një korelacion të fortë me koeficient 0.89 (ndryshimi për 100 lekë i importeve është shoqëruar mesatarisht me 89 lekë ndryshim të xhiros së tregtisë me pakicë).

Po si kanë ndryshuar importet në periudhën janar-prill (për të cilën INSTAT-i s’ka raportuar gjë për tregëtinë me pakicë)? Sipas INSTAT-it, importet kanë zbritur në 40.1 miliard lekë në prill, nga 53.2 miliard lekë që ishin në dhjetor (një rënie prej 25%). Dhe rënia nuk shpjegohet vetëm me faktorë sezonalë – po të bëhet krahasimi me të njëjtin muaj të një viti më parë rënia është 12.4%.

Po të përdorim koeficientin e mësipërm të korelacionit, i bie që volumi i tregtisë me pakicë të ketë rënë rreth 22%, krahasimisht me dhjetroin e 2011-ës, ose 11% krahasuar me një vit më parë. Kjo rënie do të ishte më e butë vetëm në qoftë se, papritur pa kujtuar, prodhuesit shqiptarë kanë prodhuar në masë artikuj konsumi që kanë zëvendësuar artikujt e importit.

Po pse është e rëndësishme të dimë se sa ka rënë volumi i tregtisë me pakicë? Në një ekonomi tregu, ai është treguesi më i drejtpërdrejtë i fuqisë blerëse të konsumatorëve, e cila bie kur këta të fundit kursejnë (nga pasiguria për të ardhmen) dhe/ose kur kanë më pak të ardhura.

E.Zaloshnja

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.