A ka qenë Berisha vërtet në atë gjyq? Ose historia 10-vjeçare mes k/ministrit dhe koordinatorit Tufa të grevës së urisë

Shoshori?!! Kush është ky? ... Për këtë person që thoni, shikoni njëherë se mos nuk është i dënuar fare". Njeriu që flet është Sali Berisha, kryeministër i Republikës së Shqipërisë. I sapo kthyer nga Forumi Ekonomik botëror në Davos, më 2 shkurt 2009, Berisha dha një përgjigje të llojit të vet për një nga akuzat më të rënda që i janë bërë gjatë karrierës së tij politike: ka qenë dëshmitar në një gjyq politik që dënoi me vdekje Hysen Shoshorin, një qytetar tiranas i akuzuar për terrorizëm, agjitacion e propagandë në 1975.
Dëshmia e Shoshorit për prezencën e Berishës në gjyqin e tij në 1975 u botua në gazetën "Plaga" organ i shoqatës së të ish të përndjekurve politikë në 22 maj 2002. Botuesi i saj ishte... Skënder Tufa (në foto), koordinatori i sotëm i grevës së urisë që prej disa ditësh është nën sulme e akuza pa fund nga vetë Berisha dhe mediat afer tij. Disa muaj pasi botoi intervistën e Shoshorit, Tufa u arrestua dhe bëri burg pas një akuze për favorizim prostitucioni.
Shkruan gazetari Lorenc Vangjeli për fatin e "Plagës" pas botimit të Shoshorit: "Tirazhi modest i saj, nuk mundi as të dalë në qarkullim, sepse u asgjësua në rrethana të dyshimta. Në atë numër Hysen Shoshori dëshmonte: "Gjatë gjykimit pashë shumë dëshmitarë që nuk i njihja...Në mendje më mbeti vetëm njëri që ishte i veçantë nga të tjerët. Trup i gjatë dhe energjik, me hap të sigurt u paraqit për të dëshmuar. Ai u ndal para trupit gjykues dhe pas formaliteteve, me një theks malësori, me eufori, filloi të flasë para trupit gjykues duke treguar se si e kishte gjetur traktin që kishte përmbajtje të theksuar armiqësore, të cilën e tundte para trupit gjykues dhe sallës: "...ky është armik i betuar i partisë, prandaj duhet varur"!
Për tiranasit e vjetër, emri Hysen Shoshori ka qenë mjaft i njohur. Ai konsiderohej si një nga mendjet më të "krisura" të kohës, krejt i vetëm, kishte vendosur të sfidonte diktaturën komuniste. Gjatë periudhës 1961 - 1974 ka shpërndarë 41 100 trakte. Në një prej tyre me një guxim që edhe sot ngjan i jashtëzakonshëm, ai arrinte deri aty sa të shkruante: "...ai njeri që ka një armë dhe nuk shtie në udhëheqësit kryesorë dhe në levat e tyre si të këshillave të lagjeve... është i lig, është frikacak, është servil..." Ky trakt mban datën 22 janar 1968.
Intervista e Shoshorit për Berishën ripa dritën e publikimit 3 vjet më parë në një emision televiziv të gazetarit Artan Hoxha. Shoshori nuk është më gjallë, kaseta e transmetuar, u dha për publikim nga botuesi i hershëm i dëshmisë në "Plaga", pikërisht Skënder Tufa, i cili përherë ka deklaruar se burgimi me akuzën e favorizimit të prostitucionit ishte një kurth i lidhur pikërisht më atë botim.
"...E vërteta është se disa prej tyre janë denoncuesit e mëdhenj të Berishës. Skënder Tufa regjistroi me kamera dëshminë e fundit të Shoshorit, i cili deklaroi në emisionin Xhungël se Sali Berisha e ka denoncuar dhe e ka çuar në burg. Pas kësaj Tufa u arrestua dhe sipas dëshmive të tij, Agron Kuliçi i ka shkuar në qeli të tërheqë denoncimin ose do ta akuzojnë për trafik femrash. Tufa po e mbron të drejtën e tij deri në Strasburg, - shton për këtë histori Mero Baze në editorialin e kësaj mbrëmje në TemA-n e tij online.
Po a ka qenë Berisha vërtet në gjyqin Shoshori? Nëse rikthehemi te deklarata me të cilën e hapëm këtë shënim, nga njëra anë është dëshmia e vetë viktimës dhe dosja voluminoze e hetimit. Nga ana tjetër, është mohimi i kryeministrit. Një mohim, që të paktën në një nga dy pikat e tij është i pasaktë: viktima Shoshori ekziston dhe është i burgosur politik. Madje, në listat e ish të përndjekurve që janë publikuar (janar 2009), emri i tij figuron me numër rendor "një" për të marrë dëmshpërblim për ditët e burgut, në masën 8 milionë lekë.
(A.N.)
Comments
Berisha ishte anetar partie ,

Berisha ishte anetar partie , dhe spiunet nuk ishin anetare partie--Po ashtu Berisha ishte mik me djalin e Enverit dhe nuk besoj se nje njeri kaq prane familjes se Enverit mund te perdorej per te denuar dike si Shoshori qe ishte nje njeri i rendomte

Nuk eshte e besueshme ajo qe thote Shoshori

Ne fund do thosha se nqs ai ishte projektuar per tu denuar , edhe nqs nuk do ishte Sala , do gjendej dikush tjeter dhe Shoshori patjeter do denohej

Edhe sikur te jete e vertete kjo qe thote SHoshori , Sala nuk fajesohet per ate kohe se Ishte koha e tille atehere , qe Diktatura vendoste per cdo gje, dhe po te mos bindeshe e pesoje, ndaj nuk kane kutpim fare keto akuza shoshoriane .... por Sala fajesohet per kete kohe ,sot.

____-Ai duhet fajesuar per shakterimin qe i beri ekonomise shqiptare, duke ua dhene ketyre ish t epersekutuarve dhe duke na hedhur ne ruge qindra mijera shqiptare

Sala duhet fajesuar per shakterimin qe i beri Ushtrise shqiptare, Bujqesise shqiptare , Industrise ,Arsimit , Sistemit shendetsor ne fshat e qytet , Ai duhet fajesuar edhe per shitjen e detit, per gjtiha tolerimet qe i ka bere Greqise etj etj

Pra keto jan faje te Sales per te cilat duhet te shkoje ne ndjekje penale, jo per ato qe thote SHoshori me shoke........ Por nuk ka opozite , se opozita eshte nje kelysh e bushtres greke, ndaj edhe Sala luelzon ne pushtet ..........

Add new comment