Ka edhe Italia B-të e veta

Beppe Grillo (62 vjec - në foto) ka qenë aktor komik, tashmë është politikan i njohur në Itali (ndoshta edhe në Shqipëri nuk janë të paktë ata që e njohin). "Por tani është edhe notar - njofton agjensia ANSA. Themeluesi eklektik i MCS-së (Movimento Cinque Stelle) ka vendosur të mbështesë fushatën elektorale të lëvizjes së tij ... duke kaluar me not Ngushticën e Mesinës. Ne shqiptarëve me siguri kjo na kujton... një B tjetër.
Grillo shkruan në blogun e tij të famshëm: «Do të kaloj me not Ngushticën e Mesinës.Kur të mbërrij në Sicili, do nis udhëtimin tim elektoral përgjatë gjithë ishullit; në kamper ose në këmbë».
Për 17 ditë Grillo premton se do bëjë fushatë në 35 komuna. Libero (libero.it) e ironizon: "Çfarë nuk po shpik Beppe Grillo për të kapur ndonjë votë më shumë. Në kulmin e fushatës elektorale për regjionalet në Sicili, lideri i MCS-së ka zbritur aktivisht në fushë - na falni, në ujë - për kandidatin e tij, Giancarlo Cancellieri".
La Repubblica i kujton Maon dhe Musolinin, kurse ANSA i zbut disi tonet e ironisë: "Grillo nuk është i pari politikan që tregon muskujt. Nga Prodi te D'Alema, nga Tremonti, te Frattini e Fini, - lista e politikanëve italianë që fusin në fushata performancën sportive është e gjatë". Renditjen e kryeson megjithatë Vladimir Putin. Shfaqjet e tij "sportive" nuk kanë të sosur: nga noti e gjuetia, te parashutizmi dhe makinat e shpejtësive të larta. - A.N.
Më shumë:
http://www.repubblica.it/politica/2012/10/09/news/grillo_tra...
Add new comment