Jahjaga u përgjigjet një për një shqetësimeve të Kurtit; dhe me ton të prerë

Në një letër të 6 nëntorit, Albin Kurti i drejtohet Presidentes së Republikës së Kosovës, dhe i shpreh pakënaqësinë që ajo ka thënë se “Lëvizja Vetëvendosje ka bërë manipulim të masave me rastin e aksioneve dhe protestave që u zhvilluan më 22 dhe 23 tetor”. Thuhej edhe se “ato protesta drejtoheshin kundër qeverisë së Kosovës, e cila po zhvillon negociata dhe bisedime pa parime dhe pa asnjë kusht apo garanci me Serbinë”, dhe nënvizohej fakti se “Presidenti është Kreu i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”, e prandaj “nuk i përket të mbajë anë politike, apo të ngrejë akuza të pabaza mbi një forcë politike që është aktualisht e treta në vend”. Në fund thuhet se “ne jemi të ndërgjegjshëm se është vështirë të përfaqësohet uniteti, ngaqë jeni vendosur në krye të atij institucioni me marrëveshje ndërmjet tri partive politike dhe të një ambasadori të huaj, në mënyrë jodemokratike dhe joinstitucionale”.
Jahjaga ka kthyer përgjigje sot. Me një letër publike, gjithashtu, ku për secilën akuzë apo nënvizim ajo thotë të vetën. Ja përgjigjet e saj, të cilat jepen me një ton shumë ‘presidencial’:
“- Për të qenë legjitime dhe legale protestat duhet të paraqiten me kohë në organet kompetente dhe të respektojnë kushtet e përcaktuara me ligj të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
- Si Presidente e vendit mbaj qëndrimin se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dy shtete sovrane e të pavarura, nuk ka alternativë dhe se kjo është rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Platforma bazë e Republikës së Kosovës në këtë dialog është Kushtetuta dhe ligjet e vendit. Garanci është ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian dhe mbështetja e fuqishme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dialogu është rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve dhe për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe më gjerë.
- Përcaktimi kushtetues që Presidenti e përfaqëson unitetin e popullit nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe unitetin politik. Ky unitet shprehet nëpërmjet respektimit dhe zbatimit të Kushtetutës dhe të ligjeve të vendit, që ka të bëjë me legjitimitetin dhe legalitetin e jo me parimin e konsensusit politik e partiak.”
Etj., etj.
Përgjigjen plotë do ta gjeni në linkun e Zërit të Prishtinës: http://www.zeri.info/artikulli/1/1/62550/jahjaga-i-pergjigjet-kurtit/
Re.Pu.
Add new comment