Izet Haxhia: “Bomba te “Vefa” dhe vrasja e Bujar Kaloshit, nuk u bënë nga “Hakmarrja për Drejtësi”. Fatos Klosi informoi Fatmir Haklajn: “Berisha me PS-në, marrëveshje për t’ju eliminuar”

Postuar në 15 Shtator, 2014 08:43

Pjesa e tretë e intervistës së Izete Haxhisë për gazetën “Dita” hedh dritë mbi autobombën te “Vefa” dhe për dosjen “Tropoja”.

Në ngjarjet e Tropojës kanë humbur jetën shumë djem të rinj, te pafajshëm; direkt apo indirekt sa pati lidhje zoti Berisha…?

Izet Haxhia: Berisha kanë qenë palë në historinë e Tropojës. Njerëz që kanë qenë rreth tij, dhe që sot janë sërish afër tij, kanë qenë sponsorë të komandos që vranë Haklajt. Në krye të kësaj komandoje ka qenë Anton Gjergji. Dua të sqaroj diçka që opinioni nuk e din. Nëse e mbani mend bombën tek VEFA. U akuzua një e ashtuquajtura “Hakmarrja për Drejtësi”. Nuk i njoh e as nuk di dhe s’e di çfarë kanë bërë ata, por një gjë e di me siguri: Që dy gjëra për të cilat janë akuzuar, s’i kanë bërë ajo bandë, bombën tek VEFA dhe vrasjen e Bujar Kaloshit. Atë ditë që ka shpërthy bomba tek VEFA kam qenë në zyrën e Agim Shehut. Kemi shku që të dy në vendngjarje. Pas dy ditësh u vu në lëvizje shteti. Berisha ka qenë në Dajt. Shkoi dhe e mori helikopteri dhe e çoi në Presidencë. I thashë kështu-kështu dhe ai e priti shumë qetë, “E di, e di”, më tha. Pas rreth 3-4 ditësh vjen një miku im i komisariatit numër 3, një polic i vjetër dhe profesionist. Ai thotë që “unë e di kush e ka vënë bombën tek VEFA”. Polici më tha mua që ta transmetoja tek Berisha. Atë bombë e ka vu, vëllai i Il Mulletit. Vëllai Il Mulletit ka qenë bashkëpronar i firmës Shqiponja, ortak me Tritan Shehin, me Anton Gjergjin. Historia e Anton Gjergjit është interesante. Ai, një djalë nga Puka, ka qenë shoqërues i Nexhmije Hoxhës. Ka qenë një njeri shumë i pregatitur por ka qenë edhe një killer shumë gjakftohtë. Ma merr mendja mua që ai është rekrutu nga shërbimet sekrete të kohës, të SHIK-ut. Të gjitha shërbimet sekrete të botës nuk përdorin njerëzit e tyre por njerëz nga jashtë për të tilla shërbime. Sepse po u kap një person i shërbimit sekret është një skandal i madh. Atë ditë urgjent kam shkuar te Berisha. Në atë kohë aty ka qenë edhe Gazidede dhe i thashë që kam një informacion të sigurtë që bombën tek firma VEFA e ka vu një Anton Gjergji. Berisha dhe Gazidede janë pa në sy me njëri-tjetrin dhe thanë: Mirë mirë se do e zgjidhim. Më vonë asnjëherë nuk dëgjova që të fajësoheshin këta persona. Dhe fakt interesant është se ky person është shfrytëzu për të vënë bombat në Tropojë.

Jeton më ky person?

Izet Haxhia: Mesa kam dëgju unë, e kanë vrarë. Por Anton Gjergji ka qenë në krye të komandos që ka vrarë Haklajt. Dhe është njeriu që ka vrarë Fatmir Haklajn në pritën që i bënë. Bombën tek VEFA e vuri ky, dhe Bujar Kaloshin e vrau grupi operativ i SHIK.

Do zbardhen ndonjëherë dosjet e Tropojës?

Izet Haxhia: Pa u zbardh dosja Tropoja, nuk do ketë asnjëherë drejtësi. As për mua dhe as për të tjerët. Është një dosje shumë e vështirë. Eleminimi i protagonistëve të këtyre ngjarjeve e bën të vështirë, por ndoshta një ditë drejtësia do e bëjë këtë detyrë.

Doja t’ju pyesja edhe më lart, zoti Haxhia: A ka patur përpjekje reale për të eleminuar Sali Berishën?

Më kujtohet ditën që është rrëzu busti i Enver Hoxhës. Kam qenë me Berishën kur i erdhi një njoftim që duhet të takonte urgjent Ramiz Alinë. Erdhi një makinë e TVSH, Berisha hypi në vend të parë. Unë nga pas. Kur po kalonim tek libri universitar, aty Berisha kërkoi të ndalonim sepse pa disa njerëz që donte t’i takonte. Aty kam pa Haxhi Lleshin, Shefqet Peçin, ishit këta të byrosë të shqetësuar. Aty ishte një burrë i gjatë, Berisha u afrua t’i thoshte diçka dhe ai filloi t’i gjuante me çantë: Tradhtar, spiun! Berisha uli kokën dhe ai vazhdonte t’i qëllonte me çantë, dhe shoh në një çast që ky personi nxori pistoletën për të goditur. Unë hidhem nga sipër Berishës dhe kap dorën e tij. I kërkova shoferit t’i jepte gaz. Më vonë kam marrë vesh se ky personi ishte Dine Abazi. Ai ka qenë një njeri që ka ndihmu shumë Berishën në ngritjen e tij. Kushedi…

Gjatë kohës kur ishte president a ka patur një përpjekje të tillë? Psh, ju keni marrë një propozim të tillë?

Izet Haxhia: Pas vrasjes së Azem Hajdarit në vitin 1999 është bërë një takim në Rogner, Pozitë-Opozitë, ku kanë qënë të pranishëm Majko, Ilir Meta, Sali Berisha, Genc Pollo, nuk di nëse ka pas të tjerë. Në atë kohë kam qenë në Tropojë. Takimi ka qenë i papritur sepse qeveria ishte në luftë. Berisha akuzonte PS për vrasjen e Azem Hajdarit etj. Aty është bërë një marrëveshje për eleminimin tonë. Aty Fatmir Haklaj është shqetësuar shumë. Një ditë më tha: Dëgjo, ti e don Berishën, por Berisha është armiku jot. Por dëgjo, më tha, – Po qe se nuk vritet Berisha, ne do na vijë fundi. Të shkojmë ta vrasim Berishën në Tiranë. Në mënyrë absolute, i thashë, kjo nuk ka për të ndodhur. Berisha nuk është kriminel, i thashë. Kështu mendoja unë në atë kohë për të. Fatmiri më tha se ai është njeriu më hipokrit e i pabesë. Ke për ta pa, më tha ai.

Nga e dinit se kishte marrëveshje për eleminimin tuaj?

Izet Haxhia: Fatmiri e kishte këtë informacion. Mesa duket, ja jepte Fatos Klosi. Se Fatos Klosi qe njeri shumë negativ, ngatërronte nga të gjitha anët.

Si kanë qenë raportet tuaja me politikanët e majtë? Mendon se ata të kishin frikë?

Izet Haxhia: Nuk i kam dashur asnjëherë ata. Nuk e di a më kishin frikë. Ndoshta edhe më kanë pasur. Ja t’ju tregoj një rast për Edi Ramën. E kam njohur në fillimet e PD-së. Ka qenë një miting dhe kur shoh Edi Ramën me një pardesy të bardhë që kishte mbërthy nga fyti Arben Imamin, mbrapa podiumit ku bëhej mitingu. Ai donte të mbante një fjalim më duket dhe Berisha kish kërkuar që ai njeri të mos afrohej. Kam ndërhy dhe e kam largu, por më bëri përshtypje se ishte shumë paqësor. Por kam pas antipati për atë njeri. Më vonë, sa herë dilnim me makinë andej nga Artet, të gjithë shokët e mi gjuanin femra, unë prisja dhe ngacmoja me fjalë Edi Ramën. Ai ishte pedagog në arte dhe sa herë më dilte, e ngacmoja. Një ditë një ish-miku im, Skënder Haluca më kërkoi që mos ta ngacmoj më dhe i premtova. Kur e pashë në rrugë, i fola nga makina dhe i thashë që s’do e ngacmoj më meqë më kish fut një mik. Ai mu përgjigj keq dhe siç isha nga dritarja e makinës ja tërhoqa atë këmishën bashkë më T-shirt dhe jelekun dhe ja grisa. Ai u prek, u përlot dhe thoshte se nuk kish si shkonte në mësim. (jepte mësim)

Do t’i kërkosh ndjesë?

Izet Haxhia: Nuk i kërkoj ndjesë, vetëm që është kryeministër. Po të mos ishte, do i kërkoja. Nuk dua të dukem si servil se nuk jam. Por dua të saktësoj diçka, se jam akuzu se kam qenë unë njeriu që kam rrahur Edi Ramën. Nuk është e vërtetë. Ai kur është masakru në ’96-ën nuk ka lidhje me mua. Edi Rama është rrahur nga një grup operativ i SHIK-ut të kohës. Unë e di që edhe prokurorit ai i ka thënë që mos e shkruani emrin që më ka rrahur, se ai njeri më vret mua. E ka pas fjalën për mua. Por nuk është e vërtetë. E dinin që isha unë i dhunshëm me politikanët, me 3 a 4 politikanë dhe m’i faturonin mua të gjitha rastet e dhunës. Atë e rrahu grupi i Xhahit Xhaferrit.

Po Ilir Metën si e keni njohur?

Izet Haxhia: Më kujtohet që edhe ai më çonte fjalë kur shkonte për të pi kafe tek Rogneri. Nuk e di pse, por ishte krijuar përshtypja që unë isha i dhunshëm dhe mund t’ju krijoja probleme. Por ai është burrë i zgjut. Ishin të shumtë atëherë që ruheshin nga unë. Ashtu më kish dal nami. Kisha rrahur edhe Nikoll Lesin. Po atë e pranoj, e kam urdhëru unë drurin për Nikoll Lesin.

Dmth. keni qënë vërtet i dhunshëm. Jeni penduar?

Izet Haxhia: Për disa gjëra jam pendu. Pendesat janë të vazhdueshme.

Këtu në Turqi mësova se jeni lidhur shumë me besimin mysliman. Për çfarë e falënderoni Zotin ju Izet?

Izet Haxhia: Nuk jam bërë këtu besimtar. Nënën e kam pas besimtare. Kam agjëruar që nga viti 1991. Feja myslimane është shumë e pasur. Gjatë viteve të burgut pata kohë edhe ta studioj. Çdo të premte falem. Kam dhe shumë miq imamë, por nga ata të moderuarit. Nuk jam dakord me radikalët.

Për çfarë i luteni Zotit?

Izet Haxhia: Unë nuk e quaj veten pafat.

Se shpëtuat gjallë?

Izet Haxhia: Po, edhe për këtë. Të kalosh gjithë ato prita, komplote dhe të kesh shtetin kundër nuk është e lehtë. Ke një makinë të tërë që mundohet të të zhdukë. Unë jam i qetë pëpara Zotit, se nuk kam bërë krime. Jam treguar i dhunshëm, por nuk kam vrarë njeri, nuk kam dhënë urdhra për të vrarë njeri, as nuk kam lëshuar pritë për të vra dikë. Për këtë jam i qetë para fëmijëve të mi dhe familjes time.

Ju nuk e patët të mundur të mbanit familjen këtu për shkak të dokumenteve, ata jetojnë në Tiranë. Kur mendoni se mund të bashkoheni?

Izet Haxhia: Nuk e di. Zoti e di. Ndoshta do bashkohemi. Ose në shtëpi ose në burg. Nuk e di se si do të jetë…

Jeni mirë këtu në Turqi?

Izet Haxhia: Sado i mirë të jetë vendi, s’ka si atdheu. Sado i keq me qenë, vendi jot është vendi jot.

“Dita”

Comments

Submitted by bbb (not verified) on

Nga gjithe intervista e Izet Haxhise dalin keto konkluzione:
1. Saliu dhe Azemi ishin misionaret e Ramiz Alise per te sjelle “demokracine” dhe ky qe fati i zi se ne dore te kujt e la Ramzi shtetin pas 1991it…
2. Azem Hajdari ishte nje spiun i sigurimit qe para 1990s, dhe me pas doli nga kontrolli dhe u be trafikant droge e armesh, terrorist, vrases, kriminel, dmth fytyra me e qelbur e post komunizmit e thene ndryshe horri i horrave. Ti hiqet urgjentisht varri nga varrezat e deshmorve se eshte skandal
3. Saliu dhe Azemi kishin inate personale me famljen Haklaj. Duke perdor pushtetin politik, policine dhe SHIKun ata eleminuan tere burrat e familjes Haklaj dhe per kete duhet te japin llogari penale per dosjen e TROPOJES…
4, Djemte familjes Haklaj kane qene te detyruar te futen ne lufte me plera si Saliu dhe Azemi, dmth ishin viktima te situates qe ju ra mbi shpine
5. Dyhet rihapur dosja Tropoja dhe dosja e kriminelit Azem Hajdari edhe si prove qe prokuroria dhe shteti do vendosin ndonje here drejtsi ne Shqiperi.
6. Izet Haxhia per gjithe informacionet qe di dhe mund te jape, te amnistohet dhe te riintegrohet ne Shqiperi se njerez me karakter dhe dinjitet qe nuk ka frike te flasin te verteten, i gjen rralle sot…

Submitted by Anonim (not verified) on

Te gjitha unazat e zinxhirti te krimeve dhe gjamave qe i kane ndodhur Shqiperise ne 23 vite paskan dale prej gishtit te Sali Berishes.

Ai don ate qe u ka dhene shume djemave tropojane. Dhe kane me ia dhene nje dite.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.