Italianët i ka gjetur hall i madh me Berlusconi-n

Ernesto Galli Della Loggia është një editorialist i së përditshmes italiane Il Corriere della Sera, dhe në shkrimin e sotëm, ndonëse i shqetësuar (dhe pikërisht ngaqë është i shqetësuar) prej vendimit të Berlusconi-t për t’u rikthyer në krye të partisë së vet, nuk është dakord me rëndësinë që mass-media italiane u jep opinioneve të personaliteteve e të organizmave të huaja mbi Berlusconi-n. Madje, kjo dorë që të huajt medemek japin për të diskredituar Berlusconi-n, bën në fakt efektin e kundërt, e forcon atë në Itali. E prandaj, Della Loggia i bën apel të majtës dhe të tjerëve që Berlusconi-n ta mundë me arsye e forca italiane. “Ndihma më e madhe që kundërshtarët mund t’i japin Kavalierit në këtë moment do të ishte ky fokusim tek qëndrimi i Europës ndaj Silvios, tek shprehja “prapë ky?” që thuhet nga të gjithë në kontinentin e vjetër, tek “vetullat e ngrysura” të Barroso-s, tek “tregjet dhe spread-i”, tek ajo që thotë Brukseli, Berlini, etj, etj”, ia bën opinionisti i njohur.
E vijon: “Do të ishte mëkat, nëse Berlusconi-t në këto rrethana do t’i lihej mundësia për të luajtur me sentimentin kombëtar”. Prandaj, ai sugjeron: “E majta, duke qenë se ka kaq shumë miqësira jashtë Italisë, do bënte mirë që t’u dërgonte një sinjal gazetave të famshme Financial Times, The Economist, Le Monde, por edhe Presidentit Schultz, e shumë të tjerëve, me anë të të cilit t’u thuhej që demonizimi i Berlusconi-t nuk e dëmton atë në Itali; përkundrazi, e bën të shfaqet si i vetmi italian që i kundërvihet arrogancës së të huajve”.
Re.Pu.
Add new comment