Ironizohet politika e jashtme e Obamës. CNN shkruan se këshilla: “Mos bëj budallallëqe”, po përshkruhet si doktrina jozyrtare e Presidentit

Duket se gabimet dhe paqartësia e Barack Obamës në politikën e jashtme po zënë vend si elementë thelbësorë në karakterizimin e presidencës së tij në këtë drejtim. CNN shkruan sot, jo pa ironi, se thënia e Obamës “Mos bëj budallallëqe”(Don’t do stupid stuff), thënë në një diskutim me gazetarë në fillim të këtij viti, mund të quhet pa frikë edhe një lloj doktrine e tij e politikës së jashtme të SHBA-së. Për t’i dhënë kësaj edhe një aspekt formal, CNN përdor shkurtesën DDSS. Dhe në këtë thjeshtim Obamën nuk e ndihmojnë dot publikisht as miqtë, ose të paktën ata që nuk kanë ndërmend ta sulmojnë. “Vendet e mëdha kanë nevojë për parime organizuese dhe “Mos bëni budallallëqe” nuk është një parim i tillë”, deklaroi Hillary Clinton në një intervistë të fundit, e cila ka siguruar se nuk ka si synim të sulmojë presidentin. Ndërkohë ndihmës këshilltari për Sigurinë, Ben Rhodes citohet nga CNN të ketë bërë një mbrojtje të DDSS-së, madje duke pranuar se kjo logjikë funksionale elementare për çdo veprimtari të jetës së përditshme madje, “nuk është e gjithë politika e jashtme”. “Ajo ka kuptimin që duhet të mendohesh mirë përpara se të vendosësh ndërhyrjen ushtarake”, u shpreh ai. Kujdesi nuk është asnjehërë i tepërt, por për vende të mëdha, që kanë pranuar një rol kryesor në skenën globale, shpesh është fatale edhe mosndërjyrja, që përndryshe ka shërbyer në shekullin e 20-të si alibi formale kundrejt akteve nga më të rëndat, e para të cilave komuniteti ndërkombëtar ka soditur.
http://edition.cnn.com/2014/08/13/politics/obama-doctrine/index.html?hpt...
s.z
Add new comment